Chelsea do të përpiqet ta fitojë ndeshjen e kthimit kundër Real Madridit dhe aspak nuk do të bazohet te rezultati i duelit të parë gjysmëfinal në Ligën e Kampionëve. Kështu ka insistuar trajneri i skuadrës së Chelseat, Thomas Tuchel të martën në konferencën për shtyp.
Chelsea të mërkurën mbrëma (21:00) e pret Real Madridin në stadiumin “Stamford Bridge”. Dueli i parë, i luajtur në Madrid javën e shkuar, ka përfunduar pa fitues, 1:1. Tuchel ka pranuar se synimi i Chelseat është ta eliminojë Real Madridin për t’u kualifikuar në finalen e Championsit, që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Stamboll.
“Sfida është ta harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë dhe ta fillojmë ndeshjen e dytë me rezultatin 0:0 në mendje. Jemi përgatitur për ta fituar këtë ndeshje dhe për këtë rezultat do të futemi, jo diçka tjetër. Për të gjitha ndeshjet përgatitemi në këtë mënyrë dhe jam optimist i madh. Unë di vetëm kështu ta inkurajoj ekipin tim, pra të dalë në fushë dhe të përpiqet ta fitojë ndeshjen”, është shprehur Tuchel. “E për ta fituar këtë ndeshje duhet të kemi një paraqitje të mirë, të cilën edhe e pres prej lojtarëve. Dua të luftojmë për fitore, pasi është shumë e rëndësishme të kualifikohemi në finale të Ligës së Kampionëve”.
Tuchel e mori drejtimin e Chelseat muaj më parë pas shkarkimit të Frank Lampardit. Trajneri gjerman po shpreson që edhe këtë sezon të jetë në finale të Championsit, por dëshiron ta fitojë atë. Edicionin e shkuar, Tuchel ishte në finale të kësaj gare me skuadrën e Paris Saint-Germainit që pësoi humbje nga Bayern Munichu.
“Do të ishte madhështore dhe natyrisht që dua edhe një finale tjetër. Mirëpo fillimisht duhet të kujdesemi për ta mposhtur Real Madridin që ta konfirmojmë vendin në finale. Nuk do të jetë lehtë, por mendoj se jemi të gatshëm për të dëshmuar vlerat tona si ekip”, ka insistuar Tuchel.
Chelseat për këtë ndeshje i mungon mesfushori Mateo Kovaçiq, për shkak të lëndimit derisa është rikthyer qendërmbrojtësi Antonio Ruediger.
Ndërkohë, te Real Madridi janë konfirmuar Sergio Ramos e Ferland Mendy. Që të dy munguan në ndeshjen e parë për shkak të lëndimeve dhe tani janë të gatshëm për të luajtur. Gjithashtu me ekipin për në Londër kanë udhëtuar edhe Marcelo e Federico Valverde. Megjithatë trajneri Zinedine Zidane nuk do ta ketë në dispozicion Raphael Varanen e lënduar, i cili bashkohet me Dani Carvajalin e Lucas Vazquezin. Në dyshim mbetet paraqitja e mesfushorit gjerman Toni Kroos.
Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao, është optimist edhe për ndeshjen e kthimit. Militao ka insistuar se të gjithë futbollistët janë maksimalisht të motivuar dhe po synojnë jo vetëm kualifikimin në finale por edhe triumfin në këtë garë. Militao, që ka një titull kampioni dhe një Kupë të Spanjës me Realin, ka pranuar se dëshira e tij është që këtë muaj ta ngrit trofeun e Championsit. Militao pritet të jetë titullar përkrah kapitenit Ramos të rikthyer. Ramos i ka munguar Realit në dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Jemi më të kompletuar për ndeshjen e kthimit, të cilën besoj se do ta fitojmë. Jemi vetëm 90 minuta larg finales dhe duhet të japim më të mirën nga vetja për t’u kualifikuar. Dëshira ime është ta fitoj këtë trofe me fanellën e Real Madridit dhe jam i bindur që kemi ekip për ta bërë një gjë të tillë”, është shprehur Militao. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe motivi është i madh për ta fituar. Nuk do të jetë lehtë sepse Chelsea në shtëpi luan mirë, por për ta prekur finalen duhet të mposhtësh skuadrat më të mira të Evropës”.
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...