Chelsea shpreh interesim për Dybalan

09:45 | 6 Korrik 2023
KRG

Këtë verë, Chelsea nisi një revolucion teksa zbrazi organikën nga disa lojtarë që përfunduan jashtë planeve të drejtuesve dhe stafit teknik të trajnerit Mauricio Pochetino. Kështu, duke nisur te Kante, Koulibaly, Azpilicueta, Havertz, Mount, Kovacic, Loftus-Cheek, Mendy dhe Felix nuk do të zbresin sërish në Stamford Bridge sezonin e ardhshëm.

Tashmë, në Londër po mendojnë sërish për përforcimet dhe pas Nkunku e Jackson, janë të gatshëm të investojnë për repartin ofensiv. Në shënjestër është Paulo Dybala, argjentinasi që sezonin e fundit ishte pjesë e Romës.

“La Joya”, konsiderohet si një prej lojtarëve më të rëndësishëm në organikën e verdhekuqve, por klauzola në kontratë bën që italianët të tremben. Në klauzolën e vlefshme deri më datë 30 korrik, saktësohet se sulmuesi mund të largohet nga Roma nëse një klub jashtë Italisë ofron 12 milionë euro.

Mbetet për t’u parë tashmë nëse Chelsea do të marrë hapa konkretë për Dybalën dhe nëse argjentinasi do të jetë i gatshëm për një transferim në Londër teksa në më shumë se një rast sulmuesi ka shprehur dashurinë e tij për Romën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme