Chelsea i jep ultimatum Interit e Lukakut

14:00 | 12 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Chelsea i ka thënë Romelu Lukakut që të mos paraqitet në stërvitjet parasezonale ndërkohë që negociatat me Interin janë duke vazhduar, por sipas raportimeve në Itali, “Nerazzurrët” kanë pesë ditë kohë për të finalizuar marrëveshjen.

Reprezentuesi belg po shtyn të kthehet në Itali dhe nuk do të rifillojë stërvitjet me Chelsean.

Të gjitha gazetat sportive italiane konfirmojnë se Lukaku nuk do të paraqitet në Cobham deri të hënën kur Blutë do të nisen për turneun parasezonal në SHBA.

Corriere dello Sport dhe Tuttosport shtojnë se Chelsea i ka dhënë pesë ditë kohë Interit për të finalizuar marrëveshjen.

Sipas CorSport, e njëjta gjë vlen edhe për klubet e tjera të interesuara, përfshirë Juventusin, i cili do të kërkojë një sulmues të ri nëse largohet Dushan Vlahovic.

Kjo do të thotë se Lukaku mund t’i bashkohet Chelseat për turneun parasezonal në SHBA javën e ardhshme ose të qëndrojë në Cobham për t’u stërvitur.

Sulmuesi belg u kthye te Interi në formë huazimi verën e kaluar dhe shënoi 14 gola në 37 paraqitje në të gjitha garat.

Chelsea e ka ulur çmimin e kërkuar në 40 milionë euro, por Interi nuk dëshiron të shpenzojë më shumë se 30 milionë euro plus shtesa./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme