Google ADS

Chelsea dhe Arsenali e gjejnë rrugën për te fitorja, ndërsa Salah “prish” rikthimin e Gerrard në Anfield

18:07 | 11 Dhjetor 2021
Lorik Gerbeshi

Chelsea i është rikthyer fitoreve

Kampionët e Evropës kanë shënuar fitore me rezultat 3-2, kundër Leeds United.

Ishte skuadra mysafire që kaloi në epërsi e para, në minutën e 28-të. Realizator ishte, Raphinha, nga pika e bardhë.

Ndërsa, golin e barazimit e shënoi Mason Mount, në minutën e 42-të.

Në pjesën e dytë u pa një ndeshje me më shumë raste shënimi.

Kur po zhvillohej minuta e 58-të, Jorginho realizoi nga pika e bardhë, për të kaluar Chelsean në epërsi.

Ndërsa, për Leeds, golin e barazimit e shënoi Gelhardt, në minutën e 83-të.

Kur u mendua se ndeshja do përfundonte me barazim, vëmendjen e mori përsëri Jorginho.

Mesfushori Italian shënoi përsëri nga pika e bardhë dhe Chelsea arkëtoi pikët e plota.

Tashmë, skuadra e udhëhequr nga Thomas Tuchel, gjendet në vendin e tretë, me 36 pikë. Dy më pak se City që është lider.

Ndërsa, edhe Arsenali e ka gjetur rrugën për te fitorja.

“Gunners” kanë triumfuar me rezultat të pastër 3-0, në ndeshjen e zhvilluar ndaj Southampton.

Skuadra e udhëhequr nga Mikel Arteta, tashmë ka lënë prapa rezultatet negative.

Golin e parë në këtë takime e shënoi, Lacazette, kur po zhvillohej minuta e 21-të.

Kurse, gjashtë minuta më pas rezultatin e dyfishoi, Martin Odegard.

Për epilogun përfundimtar u përkujdes, Gabriel, me golin e realizuar në minutën e 62-të.

Londinezët, tashmë gjenden në pozitën e pesë, me 26 pikë të grumbulluara, pas 16-të ndeshjeve të zhvilluara.

Nga ana tjetër, Liverpool ka arritur fitore minimale 1-0 ndaj Aston Villas.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Mohamed Salah nga pika e bardhë në minutën  e 67-të të ndeshjes, duke “prishur” kështu rikthimin e Steven Gerrard në “Anfield”.

Pas kësaj fitore, Liverpool gjendet në vendin e dytë me 37 pikë, ndërsa Aston Villa në vendin e 12-të me 19 pikë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme