Carmelo Anthony ndryshon ekip

14:23 | 24 Korrik 2018
Arbresh.info

Carmelo Anthony pritet të nënshkruajë për 1 vit e do të përfitojë 2.4 milionë dollarë.

Carmelo Anthony do të jetë lojtari më i ri i Houston Rockets.

Kjo është ajo që kanë bërë të ditur mediat amerikane orët e fundit. Ish-lojtari i New York Knicks pritet të nënshkruajë për 1 vit e do të përfitojë 2.4 milionë dollarë.

Nëse nuk ka pengesa të tjera gjatë rrugës, Anthony do të jetë pjesë e një ekipi që vjet për pak sa nuk preku finalen e madhe të NBA, pasi u mund në serinë finale të Perëndimit 4-3 nga Golden State Warriors. Ajo çka shqetëson tifozët e Rockets është se sa do të jetë i aftë 34-vjeçari të përshtatet në një skuadër ku nuk është pika e referimit në sulm, transmeton “SS”.

Në sezonin që lamë pas ai pati paraqitjen më të dobët në karrierë me Oklahoma City Thunder, duke shënuar një mesatare prej 16.2 pikësh për ndeshje. Gjithsesi, mjaft i entuziazmuar është dukur “ylli” i ekipit të Houston, James Harden, kur u pyet për afrimin e mundshëm të Melos në skuadër:

“Do të jetë një blerje shumë e mirë për ne. Eksperienca e tij është e madhe e në këtë pikë të karrierës së tij ai ka shumë dëshirë të fitojë. Përveç kësaj, edhe ekipi aktual është i fortë dhe kemi dëshirë të ecim përpara. Melo do të na ndihmonte shumë në lidhje me këtë.”

Mbetet për t’u parë nëse Carmelo Anthony do të jetë një lojtar titullar apo do ta ndihmojë ekipin nga stoli, por gjithsesi blerja e tij premton spektakël tek ekipi teksan.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme