Cana nuk ua plotëson kërkesën ‘Tifozave Kuq e Zi’

20:57 | 6 Tetor 2017
Arbresh.info

Për ish-kapitenin legjendar të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, po afron dita e madhe.

Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, më 9 tetor, kur kuqezinjtë të presin Italinë për Eliminatoret e Botërorit të Rusisë, ai do të largohet përfundimisht nga futbolli. Më saktë, në mënyrë ceremoniale, sepse ai ka muaj që nuk luan.

“Tifozat Kuq e Zi” kanë kërkuar shtyrjen e lamtumirës zyrtare, por në një intervistë për gazetën “Sport Ekspres” Cana ka thënë se vendimi nuk mund të ndryshojë.

“Kam biseduar me anëtarët e kryesisë. U shpjegova arsyet pse kjo ndeshje duhet të bëhet tani dhe pse nuk mund të shtyhet. Është thjesht afat kohor, sepse pastaj do të bëhet shumë vonë”.

“Një lamtumirë e vonë nuk ka sens dhe kuptim. Vendimin e kemi marrë përpara një muaji dhe e bëmë publik, që lamtumira do të ishte me Italinë”.

“Respektoj vendimin e tyre. Dëshira ime është që ata të jenë aty, por kjo nuk bën problem, sepse vazhdoj t’i respektoj dhe të kem mirënjohje. Kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe duhen mirëkuptuar”, është shprehur Cana.

Me siguri, tifozët nuk do ta mirëpresin çastin kur Cana të shkelmojë topin për herë të fundit, por disa gjëra nuk mund të anashkalohen.

 

Të ngjashme