Cana nuk pendohet për veprimet e tij në Beograd

23:44 | 11 Nëntor 2017
Arbresh.info

Lorik Cana ka qenë mysafir i Ermal Mamaqit në emisionin e tij, Xing me Ermalin, ku mes tjerash është pyetur edhe në lidhje me incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014.

Pyetja e nikoqirit ishte se a është penduar ish-kapiteni i kombëtares kuqezi për goditjen që i bëri njërit prej tifozëve serbë që kishin hyrë në fushë.

“Njerëzit e kanë keqkuptuar, unë nuk e kisha me serbin, e kisha parë që mi kishte vjedhur dhëmbët e arit që ishin të mitë dhe doja t’i marr mbrapsht”, ka thënë fillimisht me shaka Cana.

Kujtojmë që ndeshja Serbi-Shqipëri ishte e vlefshme për kualifikimet për ‘Euro 2016’ që u zhvillua më 14 tetor 2014 në stadiumin e Partizanit në Beograd.

Takimi ishte ndërprerë pas hedhjes së flakadanëve dhe objekteve të tjera në fushë nga ana e tifozëve serbë.

Pastaj, ishte futur një dron që mbante një flamur me simbole patriotike shqiptare (fotografi të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, harta e Shqipërisë etnike me në qendër shqiponjën e Skënderbeut dhe mbishkrimi ‘Autochthonous’).

Pas kapjes së atij flamuri nga Stefan Mitrovic, lojtarët shqiptarë reaguan për t’ia marrë dhe pastaj hynë në fushë tifozët serbë, të cilët filluan të godisnin futbollistët kuqezinj, të ndihmuar edhe nga kujdestarët e stadiumit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme