‘Camp Nou’ pritet të na sjell duelin e shekullit në boks

15:24 | 30 Nëntor 2017
Arbresh.info

Stadiumi i Barcelonës, Camp Nou, është duke u konsideruar si vendi i mundshëm për duelin mes Anthony Joshuas dhe Joseph Parker, duel ky që vlen për unifikimin e titujve në kategorinë e rëndë.

Negociatat për një duel të unifikimit të brezave mes Joshuas dhe Parkerit janë afër përfundimit me sukses, me promotorin Eddie Hearn që shpreson që një marrëveshje të arrihet brenda dy javësh në mënyrë që dueli të zhvillohet në mars ose prill.

Duco Events, që menaxhon karrierën e Parkerit, tashmë ka listuar stadiumet për një luftë të tillë, përfshirë stadiumin e Barcdelonës i cili ka një kapacitet prej mbi 99 mijë shikuesish, shkruan Telegrafi.

David Higgins, drejtor i Duco Events, ka thënë për Sky Sports se gjasat për një duel në Camp Nou janë të mëdha.

“Arsyeja pse e kam listuar edhe Barcelonën është për shkak se e di që anglezët pëlqejnë të shkojnë në Spanjë dhe do të ketë shumë vizitorë në Spanjë”.

“Është fluturim i shkurtër. Stadiumi është masiv. Ata nuk kanë nevojë për turistë, pasi që tashmë mendojnë se kanë tepër turistë, por nëse është jashtë sezonit turistik atëherë edhe si gjë ekonomike kjo përshtatet”.

“Shumë anglezë do të shkonin për një javë në Spanjë. Unë po e hedhi këtë ide si mundësi, pa diskutuar ende për këtë”.

“Siç kam thënë, ne kemi një rekord për këtë ndeshje. Jeff Horn – Manny Pacquiao po ashtu kishte përfitime të mëdha ekonomike dhe ishte parë si investim i mençur”, deklaroi Higgins.

Dy boksierët do të sjellin në ring dy rekorde të pamposhtshmërisë dhe tri breza të kategorisë së rëndë. Higgins ka konfirmuar se një klauzolë për rimeçë është kërkuar nga ekipi i Joshuas nëse pëson humbje dhe ai e ka pranuar këtë, pasi ka kërkuar një të tillë edhe për klientin e tij.

Higgins po ashtu shtoi se është e drejtë që Joshua të kërkojë më shumë përfitime nga ky duel për shkak se ai ka përfitime më të mëdha komerciale. /Telegrafi/

Parker – Joshua mund të zhvillohet në Camp Nou

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme