Google ADS

Bunjaku komenton shortin e Kosovës: Është një mundësi e mirë për Përfaqësuesen

15:01 | 26 Janar 2018
Arbresh.info

Përfaqësuesja e Kosovës e ka rastin jetësor për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020. 

Kështu thotë ekskluzivisht për “Zërin” Albert Bunjaki, trajneri i deridjeshëm i Verdhekaltërve, i cili e ka mirëpritur shortin e së mërkurës, që e vendosi ekipin e drejtuar përkohësisht nga Muharrem Sahiti në një grup me Maltën, Ishujt Faro dhe Azerbajxhanin.

Madje Bunjaki konsideron se tashmë ish-skuadra e tij nuk do të ketë kurrë mundësie më të mirë për t’u kualifikuar në një eveniment të rëndësishëm si Evropiani.

“Është një mundësi shumë e mirë. E kam thënë edhe më herët se Liga e Kombeve është definitivisht e mirëseardhur. Ky turne është një mundësi shumë e mirë, sidomos për vendet më të ulëta, të cilat kanë mundësi ekstra për kualifikim. Ndër 16 skuadrat më të dobëta në Evropë, që përfshihen në Ligën D, kualitetet e Kosovës janë më të mëdhatë, por që rol luan edhe moseksperienca dhe sapofillimi i rrugës. Sidoqoftë, kjo është një mundësi ideale për Kosovën për t’u kualifikuar”, theksoi fillimisht për “Zërin” Bunjaki, i cili e ndërpreu kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës pas përfundimit të kualifikimeve për Botëror, në të cilat Kosova i ka regjistruar nëntë humbje dhe një barazim karshi shteteve të niveleve shumë më të larta sesa kundërshtaret e radhës në Ligën e Kombeve.

“Tash Kosova është në një fazë tjetër. Është hera e parë që zhvillohet ky turne dhe Kosova realisht asnjëherë nuk do ta ketë këtë mundësi për t’u kualifikuar. E para është se ekziston vullneti dhe dëshira tek të gjithë në Kosovë, pasi duan ta shijojnë një eveniment të madh siç bëri Shqipëria parvjet. E dyta lidhet me infrastrukturën, pasi kur të luajë Kosova në shtëpi ngrohtësia dhe mbështetja më e madhe e rrit motivin e lojtarëve. Këta të fundit janë ngritur në pozicione më të mira në skuadrat aktuale”, shton ai.

Bunjaki: Unë kam fituar ndaj Ishujve Faroe

Sipas tij, asnjëri nga kundërshtarët e grupit nuk janë më të mirë se Kosova. Madje ai e ka përmendur rastin kur Verdhekaltrit nën drejtimin e tij i kanë mposhtur Ishujt Faro (2:0) edhe me 10 lojtarë dhe pa 70 për qind të ekipit aktual.

“Kosova ka kualitete më të mëdha se tre kundërshtarët e grupit. Kosova i ka gjasat shumë reale që ta fitojë grupin, por edhe të kualifikohet në Evropian”, nënvizoi ai.

Çka i mungon Kosovës?

Megjithatë, Përfaqësueses nuk i mjafton vetëm kualiteti për ta regjistruar kualifikimin historik në Evropian. Albert Bunjaki përmend edhe “defektet” momentale të Kosovës.

“Mendoj se duhet të punohet në çështjen organizative, pasi në aspektin sportiv jemi dy vjet përpara atij organizativ. Gjithashtu është e domosdoshme që Kosova ta ketë terrenin e vetë, pasi kjo do të ishte një përparësi. Tjetra, trajneri. Kosova duhet ta ketë sa më shpejt trajnerin e ri për ta kuptuar sa më shpejt filozofinë e tij dhe për ta njohur ai më mirë ekipin dhe mentalitetin e tij”, shprehet Bunjaki, i cili e ka krijuar bazën e Përfaqësueses, që e ka lënë në duar të sigurta. /Zëri

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme