Google ADS

Broja nuk merr pjesë në stërvitjen e Kombëtares, mungojnë edhe dy mesfushorët

17:31 | 10 Tetor 2023
KRG

Kombëtarja Shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen e të enjtes ndaj Çekisë, teksa pasditen e sotme ka kryer edhe seancën e dytë stërvitore. Një seancë ku është lënë pushim Armando Broja, që ka shfaqur një problem në gju.

Sulmuesi i Chelsea-t ka kryer rezonancën magnetike dhe situata nuk duket shqetësuese, por gjithsesi si masë sigurie, është lënë pushim për seancën e të martës dhe pritet të marrë ngarkesën e plotë të mërkurën, një ditë para ndeshjes.

Në seancën stërvitore të sotme janë bashkuar me grupin edhe Myrto Uzuni e Mirlind Daku, që mbërritën vetëm pasditen e djeshme në Tiranë, teksa në mbrëmje pritet që të mbërrijë në grumbullim edhe Klaus Gjasula.

Ky i fundit kishte një infeksion në bajame, por duket se e ka lënë pas dhe do të bashkohet me skuadrën për të qenë në dispozicion të trajnerit Sylvinho, qoftë për të luajtur edhe disa minuta ndaj Çekisë mbrëmjen e të enjtes.

Trajneri brazilian i kuqezinjve po ndjek me interes formën e mbrojtësve dhe sulmuesve, pasi dilemat e vetme për formacionin duket se janë vetëm dy, ai që do të luajë përkrah Gjimshitit në qendër të mbrojtjes dhe ai që do të udhëheqë repartin e avancuar./ss

Të ngjashme