Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka zhvilluar takime të shumta në Bruksel të Belgjikës, ku ishte i pranishëm në Mbrëmjen e pestë Evropiane të Sportit, të organizuar nga Komiteti Olimpik Evropian dhe zyra e Bashkimit Evropian.
Të pranishëm ishin personalitetet më të larta të Komitetit Olimpik Evropian (KOE), kurse mysafir nderi ishte presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. Hasani shfrytëzoi rastin për të zhvilluar takim me të parin e KON-it. “Gjatë takimit, përveç temave të ndryshme, theksova shqetësimin e Federatave Sportive të Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen sportistët, klubet dhe Federatat e Kosovës, lidhur me ngjarjet e ndryshme sportive të cilat mbahen në shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke marrë shkas nga Federata e Tenisit dhe Federata e Boksit e Kosovës. Sportistët e këtyre dy federatave nuk u lejuan të udhëtojnë në Moldavi e Ukrainë, me arsyetimin se Ministritë e tyre të Punëve të Jashtme kanë penguar dhënien e vizave për shtetasit e Kosovës!”, – deklaroi Hasani.
Sipas të parit të KOK-ut, Bach e mori me shqetësim informatën dhe premtoi angazhimin e shërbimeve përkatëse të KON-it, por edhe personalisht do të angazhohet që sportistët e Kosovës mos të pengohen nga pjesëmarrja në Kampionatet Evropiane e Botërore, e sidomos kur këto gara janë kualifikuese për LO. Dr. Bach kërkoi që nga Kosova të vijnë informatat me kohë, kur garat e tilla mbahen në shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.
Hasani më pas u takua edhe me Janez Kocijançiç, president në detyrë i KOE, me të cilin biseduan për përfshirjen e Kosovës dhe shteteve jo anëtare të Bashkimit Evropian në ndihma për sportin.
Madje, Kocijançiç, këtë e tha edhe publikisht para rreth 250 përfaqësuesve të Evropës dhe z.Thomas Bach. Krahas tyre, kreu i KOK-ut zhvilloi takime edhe me personalitete tjera me ndikim si: Andrzej Krasnichki, president i KO të Polonisë, Ryszard Czarnecki, nën-president i Parlamentit Evropian, Valentin Capelli, zyrtar për politika në zyrën e BE të KOE, Z. Argus Kiklend, Drejtor i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Hokejit, znj. Lwona Lotysz, drejtore për Projekte Zhvillimore në KO të Polonisë, Carlos Cardoso, President i ENGSO, Marina Baramia, shefe e protokollit në KON, Patrick Bouman, Sergey Bubka, profesor Tierry Zintz etj. Zintz do të vizitojë Kosovën në muajin tetor.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...