Pesë gola në katër ndeshjet e fundit. Një prej tyre ndaj Bayernit dhe tre prej tyre në Champions.
Mërgim Berisha po dëshmon se po shndërrohet në sulmues të nivelit evropian. Ai të martën udhëhoqi Red Bull Salzburgun drejt fitores 3:1 ndaj Lokomotivës në Moskë.
“Gjakftohti Berisha siguron fitoren në natën e ftohtë në Moskë”, ka shkruar sajti zyrtar i gjigantit austriak të futbollit.
Në dy raste në pjesën e parë, Berisha u tregua vendimtar. Dhe i qetë para portës. Shënoi për 1:0 në minutën e 28-të dhe për 2:0 në minutën e 41-t. Në pjesën e dytë u shënuan dy gola, por shënimet e kosovarit dolën vendimtare.
22-vjeçari është i lindur në Gjermani, por është nga Kosova. Këtë edicion është i pandalshëm. Ka pesë gola e një asistim në Champions. Këtë shifër e ka arritur në pesë ndeshje. Ka po ashtu pesë gola në Bundesligën e Austrisë, në shtatë ndeshje të luajtura. Berisha luan për U-21 të Gjermanisë, por nëse vazhdon me këtë formë mund të fitojë rastin te Gjermania A. Kalimi te ndonjë skuadër e madhe gjermane duket çështje kohe.
Ai në fakt ka realizuar në katër ndeshjet e fundit në kuadër të grupit A të Ligës së Kampionëve. Realizoi në humbjen 3:2 ndaj Atletico Madridit. Dy herë rresht shënoi ndaj Bayern Muenchenit, por Salzburgu i humbi të dy ndeshjet. Ata gola megjithatë i shërbejnë për të fituar edhe më shumë famë në Gjermani.
Ndërkohë të martën, më në fund, golat e Berishës ishin të vlefshëm për fitore. Dhe Berisha dëshmoi se besimi i Gjermanisë U-21 ishte i drejtë. Po ashtu edhe besimi i Salzburgut.
Ndonëse i lindur në Gjermani, Berisha është zhvilluar si lojtar te Salzburgu. Ka kaluar periudha te Lieferingu, LASK-u, Magdeburgu e Altachu. Por Salzburgu e ka mbajtur vazhdimisht në pronësi. Tani po e merr shpërblimin. Berisha në nivelin e të rinjve nuk ka luajtur te ndonjë përfaqësuese. E kishin kërkuar Kosova dhe Shqipëria. Ka mundur të jetë opsion edhe për Austrinë. Por vjet pranoi ftesën e Gjermanisë U-21 dhe deri më tani ka luajtur shtatë ndeshje./koha.net/
Fitorja e së martës në Moskë mund të jetë vendimtare për Salzburgun. Salzburgu renditet i treti në grupin A me 4 pikë. Atletico Madridi renditet i dyti me 6 pikë, ndërsa Bayerni prin me 13 pikë. Lokomotiva tashmë është e eliminuar, me 3 pikë.
Vendimtare do të jetë ndeshja e xhiros së fundit në mes të Red Bull Salzburgut dhe Atletico Madridit, që luhet në Austri. Me fitore Salzburgu do të avanconte në raundin nokaut të Championsit.
Me këtë formë, Berisha mund të jetë sërish vendimtar.
“Natyrisht se jam i lumtur që kemi fituar. Ne ishim ekip më i mirë dhe me plot meritë kemi fituar sonte”, ka thënë Berisha për sajtin e UEFA-s.
Pesë gola në katër ndeshjet e fundit?
“Po, e pranoj këtë bilanc. Por do të mundohem të bëhem më i mirë”, ka shtuar kosovari, që ngadalë po shndërrohet në yll të futbollit. “Mendoj se ishim të fortë në duele dhe shumë trima. Ishte ndeshje shumë e mirë, komplimente për ekipin”.
Forma e Berishës po trimëron edhe Salzburgun. Trajneri Jesse Marsch është i lumtur për kosovarin.
“Ishte ndeshje fantastike. Ne kemi luajtur vërtet mirë, me top dhe pa top. Ishte një prej ndeshjeve tona më të mira në Ligën e Kampionëve. Jam vërtet, vërtet i lumtur për Mërgimin. Ai ishte aq i durueshëm dhe ka luftuar çdo ditë në stërvitje. Tani rasti i tij u shfaq dhe ai e shfrytëzoi. Kaq shumë gola në ndeshjet e fundit”, ka thënë Marsch.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...