Bekim Haxhiu e akuzon Shpend Ahmetin për stadiumin nacional të Kosovës

10:40 | 30 Tetor 2017
Arbresh.info

Bekim Haxhiu e ka komentuar Stadiumit Nacional të Kosovës për të cilën është hapur në ditë e fundit një debat.

Ai e akuzon kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin rreth stadiumit në fjalë për të cilin ka dilema nëse duhet të ndërtohet në Bërnicë apo Drenas.

Haxhiu më parë ka qenë nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Reagimi i Bekim Haxhiut 

“Për Stadiumin Nacional, Shpend Ahmetit më së paku i takon të flas. Ai nuk ishte në gjendje të ofroj një pronë të komunës së Prishtinës për ndërtimin e Stadiumit Nacional, prandaj Qeveria e Kosovës ofroi tokën në Bërnicë, pronë shoqërore me shumë probleme të pa zgjidhura.

Kuptohet që Shpend Ahmeti këto deklarata i bën për konsum ditor, për propagandë, sepse ai lëre që nuk ndau tokën në Prishtinë për Stadiumin Nacional, por nuk ishte në gjendje të ndajë për FFK- në 10 ari tokë për ndërtimin e shtëpisë së futbollit.

Gjendja e klubeve sportive në Prishtinë është si asnjëherë me keq, ndërsa Shpend Ahmetit i del kohë të mirret me Stadiumin Nacional. Ai këtë e bën qellimisht për të mbuluar dështimin në Prishtinë, sepse ai nuk iu dha mbështetjen e duhur klubeve sportive të Prishtinës, dhe pak ditë para balotazhit dëshiron vëmendjen ta zhvendos diku tjetër.

Për shkak të mungesës së mbështetjës nga Komuna e Prishtinës, primatin në të gjitha sportet e kanë marrë të tjerët, jo klubet e Prishtinës, duke përjashtuar KB Prishtina që udhëhiqet nga Blerand Stavileci.

Pasi në fokus është futbolli po ua rikujtoj se këto vitet e fundit KAMPION janë shpallur KF ” Feronikeli” e KF “Trepça’89”, por jo Prishtina.

Shpend Ahmeti nuk investoi as edhe në një stadium të vetëm në kryeqytet, ai nuk mbështeti as edhe një klub të kryeqytetit, as edhe një sportist, derisa çdo vit i kanë tepruar miliona euro të buxhetit të komunës së Prishtinës.

Stadiumi Nacional duhet të jetë dhe do të jetë i Federatës së Futbollit të Kosovës, nuk do të jetë pronë e asnjë qyteti të vetëm, i asnjë kryetari të komunës, por i të gjithë futbolldashësve të Kosovës.

Ndoshta Shpendi do të dëshironte që stadiumi të ndërtohej në Shëngjin apo në Budva, që ai të ketë mundësi me të mëdha argëtimi për vete, por po i’a rikujtoj se Stadiumi Nacional do ta ketë destinimin futbolli për të gjithë, sepse kjo është edhe moto e FIFA-s.

Dy lokacionet për të cilat është diskutuar ndërtimi i Stadiumit Nacional, Bërnica (10.8 km) dhe te Parku Industrial (16,4 km) janë afër kryeqytetit. Pra debati po bëhet për 5.6 km largësi nga qendra e Prishtinës, Grand Hoteli.

Por lokacion te Parku Industrial në Drenas ka shumë më shumë përparsi.

Unë që në fillim kam kundërshtuar lokacionin në Bërnicë, e kam ngritë këtë qështje në Kuvend , në media dhe debate publike, sepse është afër Obiliqit, zonës me ajrin me të ndotur në Kosovë, disa herë më shumë se parametrat e lejuar. Bërnica është një nga lokacionet më të atakuara nga erërat e fuqishme dhe mjegulla, bazuar nga të dhenat e IHMK, pastaj mungon infrastruktura rrugore, qasja në stadium jo e përshtatshme.

Lokacioni te Parku Industrial që i përket komunës së Drenasit, ofron një ambient shumë më të mirë, ajër më të pastër, afër autostrades, afër aeroportit, me qasje të lehtë si për shikuesit që vijnë nga Gjilani, Ferizaji, Prizreni, Gjakova , Peja , Mitrovica , Vushtrria, Podujeva, etj.

Stadiumi Nacional do të ndërtohet falë marrveshjës me Qeverin Hungareze, gjithashtu Qeveria e Kosovës ka investuar në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari në Mitrovicë, është duke investuar në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë i cili pritet të jetë gati shumë shpejt për garat ndërkombëtare, andaj Shpendi dhe të tjerët duhet të i gëzohen këtyre investimeve.

Po të mbeteshin shpresat e FFK-së në Shpend Ahmetin, nuk do të investohej as në stadiumin e Prishtinës e as në atë nacional, dhe FFK ende do të ishte në një hapësirë me dy zyre.

Prishtina do ta ketë shumë shpejtë Stadiumin e Qytetit të rinovuar nga Qeveria, ndërsa Stadiumi Nacional do të jetë i Federatës së Futbollit të Kosovës, i krejt Kosovës.

Uroj që sa më shpejtë të jetë e mundur të jenë gati për garat ndërkombëtare Stadiumi i Qytetit në Prishtinë, Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe Stadiumi Nacional te Parku Industrial në Drenas”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme