Google ADS

BBC Sport: Shqipëri- Kroaci në top listën e ndeshjeve më të mira në Euro 2024, tifozët shqiptar i dhanë energji ekipit

23:40 | 19 Qershor 2024
E.G

BBC Sport i ka kushtuar një shkrim të gjatë analitik ndeshjes Shqipëri- Kroaci, në Euro 2024, e cila përfundoi në barazim 2-2. BBC shkruan se Shqipëria arriti një barazim dramatik në kohën shtesë për t’i mohuar Kroacisë një fitore që dëmton rëndë shpresat e finalistëve të Kupës së Botës në 2018 për të arritur në fazën eliminatore të Euro 2024.

“Në atë që ishte një fund kaotik, por argëtues i lojës, shqiptarët arritën të merrnin një pikë kur Klaus Gjasula shënoi golin e barazimit në minutën e 95-të duke çmendur tifozët shqiptar. Dukej se ndeshja do të përfundonte sërish me një zemër thyerje për Shqipërinë, duke lënë pas një tjetër epërsi që e arriti që në minutat e para në të dy ndeshjet. Qazim Laçi shënoi në minutën e 11-të dhe skuadra e tij më pas u mbrojt në mënyrë të shkëlqyer për më shumë se një orë, teksa dukej në prag të një fitorje të madhe. Por Kroacia e ktheu lojën në mënyrë të pabesueshme në Volksparkstadion të Hamburgut, kur ish-sulmuesi i Leicester-it, Andrej Kramariç, shënoi golin e barazimit, përpara se gjuajtja e Luka Susiç të devijohej nga Gjasula dhe topi të hynte në rrjetën e Shqipërisë.”, shkruan BBC Sport.

Por Gjasula, sipas medias së rëndësishme britanike, kishte fjalën e fundit në këtë ndeshje me goditjen e tij në kohën shtesë, që do të thotë se Kroacisë tani do t’i duhet të mundë kampionët në fuqi, Italinë në ndeshjen e fundit të Grupit B për të pasur një shans për të ecur përpara.

“Shqipëria përballet me një provë të vështirë në ndeshjen e radhës kundër Spanjës, por kjo ishte një paraqitje dhe një rezultat që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve shqiptar.”, shkruan BBC.

Shqipëria shpërblehet për lojën pa frikë

Në analizën e saj BBC Sport nënvizon se ka pasur disa lojëra jashtëzakonisht argëtuese në këtë kampionat evropian dhe Shqipëri- Kroaci ishte ndër më të mirat prej tyre.

Kjo, thekson BBC, në pjesën më të madhe për shkak të Shqipërisë dhe vendosmërisë së lojtarëve të saj që në Gjermani kanë treguar se nuk janë aty thjeshtë për numër.

“Kjo është paraqitja e tyre e dytë në një Euro pas kualifikimit në 2016, dhe tifozët e tyre sigurisht që e kanë shfrytëzuar maksimalisht rikthimin e tyre. Në Hamburg përpara fillimit, tifozët mbushën vendkalimet në port, dhe kur ishin në stadium ata prodhonin zhurmë të pabesueshme gjatë gjithë lojës. Ajo energji u transferua qartë te lojtarët, futbolli i shpejtë i të cilëve në kundërsulme e tronditi Kroacinë. Epërsia e tyre 1-0 në pjesën e parë ishte plotësisht e merituar. Kur Kroacia shënoi dy gola për t’i kthyer gjërat, do të ketë ndezur një ndjenjë deja vu në mesin e tifozëve shqiptarë, pasi kanë parë Italinë të luftojë për t’i mposhtur në ndeshjen e tyre të parë. Por këtë herë ata nuk u vyshken, por përkundrazi shtynë fort për barazimin në fazat e mbylljes, përpara se Gjasula të merrte shpërblimin që meritonte për shfaqjen luftarake të skuadrës së tij.”, shkruan BBC Sport.

Po afrohet fundi i një epoke për Kroacinë?

BBC ka bërë edhe një analizë të situatës në kampin kroat, duke marrë shkas edhe nga ndeshja me Shqipërinë.

Sipas BBC, Kroacia, pasi përfundoi nën kampione në Kupën e Botës në 2018, më pas duke arritur në gjysmëfinalen e turneut katër vjet më vonë, duket e paimagjinueshme që kjo skuadër kroate të mund të bjerë në pengesën e parë që has në Gjermani.

“Kuptohet, ata u futën në një grup të vështirë me Spanjën dhe Italinë, por ata do ta kishin synuar këtë lojë si një fitore të domosdoshme për t’u dhënë të paktën mundësinë për të përparuar si një nga skuadrat më të mira të vendit të tretë. Ata janë një ekip i mbushur me lojtarë të talentuar, të udhëhequr nga Luka Modriç, të cilët i kanë çuar larg në turnetë e kaluar. Por shumë prej tyre tani janë mbi 30 vjeç dhe ka filluar të duket sikur koha mund t’i ketë kthyer në lojtarë veteranë.”, shkruan BBC Sport.

Sipas medias britanike, për një kohë të gjatë në ndeshjen me Shqipërinë kroatët nuk arritën të përputhnin lëvizshmërinë me ritmin e kundërshtarëve të tyre dhe, ndërsa përmbysja e rezultatit ishte mbresëlënëse – nëse ishte disi me fat përmes autogolit – atëherë ata duhet të ishin mjaftuar me qetësimin e lojës.

“Por në vend të kësaj ata u tërhoqën dhe kjo rezultoi e kushtueshme pasi Shqipëria gjeti edhe një herë energjinë e saj për të shtyrë dhe për të rrëmbyer golin dramatik të barazimit.”, mbyll shkrimin BBC Sport.

(Tabela përfaqëson rezultatin që përfaqëson mesataren e përdoruesve të BBC Sport)

/rtsh.al/

Të ngjashme