Google ADS

BBC: Rritja e futbollit të Kosovës falë të shkëlqyerit, Fadil Vokrri

09:18 | 9 Shtator 2019
Arbresh.info

Transmetuesi publik britanik ka shkruar për rritjen e futbollit të Kosovës, e cila, sipas tij, ka ardhur kryekëput falë legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri, i cili vdiq vitin e kaluar, ishte njeriu më vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si vend i futbollit, shkruan BBC, përcjell Express.

“Fjala ‘mrekulli’ u dëgjua tërë ditën e gjatë. Mbase këta mijëra njerëz që i mbushin rrugët e Prishtinë sapo e kanë parë një tjetër. Ishte shtatori i vitit 2016 kur Kosova e luajti ndeshjen e parë garuese në futbollin ndërkombëtar”.

Të shtunën, ajo e zgjati në 15 ndeshje ecurinë e përkryer pa humbje me rezultatin mbase më të rëndësishëm deri tani, fitoren 2:1 kundër Republikës së Çekisë. Kjo është ecuria më e gjatë pa humbje në Evropë (momentalisht).

Kosova ka mundësi shumë të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020 tashmë, beson BBC.

Që një vend kaq i ri dhe me kaq telashe në zemër të Ballkanit të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit, nuk ishte ëndrra e vetëm një njeriu. Por është një figurë e cila adhurohet këtu më shumë se të gjithë, tregimi i të cilit ndihmon në shpjegimin e prejardhjes së ekipit të tij të veçantë.

Ai ishte vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si një vend i futbollit, dhe ai është hero në vendin e vet. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar në moshën 57-vjeçare, stadiumi i ekipit kombëtar mori emër të ri për nder të tij: Stadiumi Fadil Vokrri.

Si e shumë njerëzve të tjerë këtu, edhe jeta e Vokrrit u shënua nga lufta e cila ndodhi këtu para 20 vjetëve. Por hakmarrja dhe anti-hakmarrja dhe tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ekzistojnë.

Ama Vokrri ishte ndër shumë të paktët – mbase i vetmi – i cili ishte në gjendje të komunikonte në ndarjet e thella që kushtuan shumë jetë. Futbolli ishte gjuha e tij.

Kur Vokrri u bë president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ai e nisi nga zeroja. Zyra e tij ishte një banesë dydhomëshe në Prishtinë; kishte dy tavolina dhe dy kompjuterë. Ishte 16 shkurti 2008. Kosova e shpalli pavarësinë të nesërmen.

Vokrri ishte në krye të një federate pa para. Ai e kishte një ekip kombëtar pa të drejtë për të luajtur ndeshje zyrtare, në një vend të izoluar me pak infrastrukturë.

Por çfarë kishte ai ishte reputacioni i tij. Ai ishte futbollisti më i madh që Kosova e ka prodhuar – edhe pse ky epitet mund të sfidohet së shpejti nga gjenerata e re premtuese e talenteve që po lindin.

Vokrri ishte magjepsës, tërheqës dhe bindes. Ai dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ishin njerëzit për të cilët vendi kishte nevojë të bënin fushatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme