Google ADS

Bashkëpunim i suksesshëm i FFK-së me Federatën norvegjeze në edukimin e trajnereve të reja

22:32 | 12 Maj 2022
KRG

Me festivalin e fëmijëve të grupmoshave të ndryshme deri në 12-vjeç ka përfunduar trajnimi për trajnere “Girls’ Football Coaching Course”, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Norvegjisë.

Gjatë dy ditëve sa është mbajtur ky kurs në hotel “Emerald” dhe Kompleksin Nacional të FFK-së në Hajvali, i paraprirë edhe me kurse online, futbollistet e 12 klubeve të Superligës kanë pasur mundësi të fitojnë njohuri si në teori, ashtu edhe në praktikë nga instruktorët norvegjezë, Onar Nymoen, Irene Lunde dhe Elise Barsnes, përcjell arbresh.info.

Në ditën e fundit të këtij kursi është organizuar festivali me fëmijë, ku trajnerët e reja kanë pasur mundësi të punojnë në grupe dhe të njihen me objektivat dhe direktivat e futbollit për fëmijë, si dhe për mënyrën më të mirë të motivimit të fëmijëve për të luajtur futboll të përshtatshëm për moshën e tyre.

Përfaqësuesi i Federatës norvegjeze, Onar Nymoen është shprehur shumë i kënaqur me punën e bërë si dhe përkushtimin e pjesëmarrëseve të këtij kursi.

“Vajzat kanë punuar me përkushtim. Sot dhe dje dhe kemi pasur dy kurse në fushë dhe tri kurse teorike, ku e gjitha shkoi shumë mirë. Këto vajza të reja kanë potencial të mirë. Atyre u duhet vetëm një shans për të gjetur një ekip, për të gjetur disa vajza dhe pa problem, ato mund të fillojnë karrierën e tyre si trajnere. Ne kemi qenë në Ballkan për shumë vite me projekte të ndryshme, ndërsa projekt si ky kemi zhvilluar që nga viti 2019, ku kemi bashkëpunuar me gjashtë vende. Në Kosovë, ne tashmë e kemi bërë një kurs të këtij projekti, ndërsa ky është i dyti. 24 vajza janë duke e ndjekur këtë kurs të cilat më pas do të kthehen në klubet e tyre dhe do të ndajnë njohuritë e fituara këtu me vajzat e tjera”, ka theksuar Onar Nymoen.

Ai ka falënderuar FFK-në për bashkëpunim shumë të mirë, teksa ka thënë se kursi planifikohet të finalizohet në muajin tetor, ku vajzat pjesëmarrëse do të pajisen me certifikata që kanë përmbushur me sukses të gjitha standardet e këtij kursi.

Nymoen shtoi se është optimist që këto vajza do të kenë një karrierë shumë të suksesshme në të ardhmen si trajnere.

Ndërsa, menaxherja e FFK-së, Sanije Krasniqi, theksoi se realizimi i këtij kursi ka një rëndësi të veçantë në përgatitjen e gjeneratës së re të trajnereve në vend.

“Federata Norvegjeze ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar federatën tonë me këtë projekt si dhe klubet e futbollit të femrave në edukimin e vajzave që synojnë të punojnë si trajnere futbolli në të ardhmen. Po ashtu, me këtë projekt klubet ndihmohen edhe me pajisje sportive”, tha Krasniqi.

Me entuziazëm, këtë kurs e kanë ndjekur edhe dy futbollistet e reja që në të ardhmen synojnë të bëhen trajnere të reja.

Nevrije Ahmeti dhe Arta Trolli janë shprehur mjaft të kënaqura me këtë kurs, nga i cili thonë se kanë përfituar shumë profesionalisht në përmbushjen e ëndrrës së tyre për t’u bërë trajnere në të ardhmen.

Në fund të këtij kursi, Federata Norvegjeze e Futbollit u dhuroi pjesëmarrëseve edhe nga një pako me pajisje sportive. / arbresh.info/

Të ngjashme