Nuk të rastis shpesh që lojtarët me origjinë shqiptare të jenë lider në ligat kryesore të europës me ekipet e tyre. Mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, e padyshim në një nga këto gishta është dhe Enis Bardhi. 23-vjeçari që luan me Levanten dhe mban numrin 10 mbi shpinë. Një vlerësim shumë i madh për të dhe jo më kot, pasi mesfushori e ka justifikuar si duhet. Në Spanjë, sezonin e shkuar, aty ku garonin yjet e futbollit botëror si Messi, Ronaldo, Modric, Iniesta, Griezmann e një mori e pafund lojtarësh të tjerë, shqiptari ishte protagonist.
9 gola për të sezonin e kaluar, shumica prej goditjeve të dënimit duke qenë më rezultativ se çdo lojtarë tjetër në Premier Division.
Bardhi përfaqëson kombëtaren e Maqedonisë, fatkeqësisht. Nuk është prej atyre që nxjerrin gjoksin si shqiptarë 100 karatësh dhe më pas kërkojnë falje, por prej atyre që u është përplasur dera në fytyrë nga gjenitë dhe trajnerët e jashtëzakonshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, që grumbullonin lojtarë nga fshatrat e Anglisë, Italisë, Greqisë e Shqipërisë dhe nuk pranon të merrnin Bardhin. Të kapësh kokën me grushte! Histori e mbyllur, pavarësisht se plaga dhemb ende. Telesport pati fatin të merrte në intervistë lojtarin e Levantes, që na foli gjerë e gjatë për kampionatin spanjoll, por dhe për miqësinë e mirë me Armando Sadikun.
Enis, e keni nisur kampionatin mjaft mirë, pasi në 3 ndeshje keni marrë 4 pikë. 1 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Pika me Valencian vlen shumë si derbi. Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i vjetshëm?
Mund të them se asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket përkushtimit tim në çdo ndeshje. Mundohem të vazhdoj aty ku kam mbetur dhe normalisht që ndeshje pas ndeshje më rritet vetëbesimi dhe dëshira për të treguar një nivel më të lartë. E kemi nisur mirë, pasi kemi marrë disa pikë. Shpresojmë që në vazhdim të marrim më shumë pikë, ne do të luftojmë në çdo sfidë për të marrë pikët maksimale.
Çdo takim e keni nisur si titullar, ndryshe nga sezoni i kaluar. A jeni përshtatur krejtësisht me ekipin e Levantes dhe futbollin spanjoll?
Me ardhjen e trajnerit të ri Paco Lopes më është dhënë më shumë besim dhe hapësira për të luajtur. Kam qenë titullar dhe besoj se e kam justifikuar besimin e tij në mënyrën më të mirë. Do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë dhe të përshtatem me lojën që kërkon ai nga ne. Të jem i sinqertë futbolli në Spanjë më përshtatet shumë dhe jam i kënaqur me faktin se jam pjesë e La Ligas.
Çfarë objektivash i keni vendosur vetes këtë sezon?
Shpresoj që Zoti të më japë shëndet të plotë që të mund të realizoj objektivat e mia. Objektivi i parë është të ndihmoj skuadrën që të ngjitemi sa më lart në klasifikim. Në aspektin personal shpresoj të kem statistika të mira si në sezonin e shkuar, por të kaloj dhe veten.
A e mendoni largimin për ndonjë ekip më të fortë?
Nëse më jepet mundësia pse jo, pavarësisht se jam shumë i kënaqur me kushtet dhe trajtimin që kam te skuadra e Levantes. Njerëzit në klub dhe tifozët më përkrahin. Kjo më bën të ndihem i kënaqur.
Sa pranë i keni qëndruar Sadikut në këtë periudhë? Po klubi dhe tifozët si po sillen me të?
Më vjen shumë keq për Armandon, pasi shumicën e kohës qëndronim së bashku. Dëmtimi i erdhi në kohën që po fillonte kampionati. Besoj se do ta kaloj me sukses rikuperimin sepse është shumë i fortë. Unë jam gjithmonë afër tij, por dhe klubi besoj se po e trajton në mënyrën e duhur.
Keni shënuar 9 gola në Spanjë, kush është goli më i bukur për ju?
Mendoj se golin më i bukur është goli i parë që kam shënuar në La Liga. Ishte nga një gjuajtje e lirë kundër Deportivos. Ishte java e tretë e kampionatit, pavarësisht se nuk i anashkaloj dhe golat e tjerë.
Kush është kundërshtari më i vështirë në La Liga?
Për ne nuk ka asnjë kundërshtarë të lehtë. Në kampionatin spanjoll ecuria e ndeshjes varet nga shumë faktorë. Mund të them se më e vështirë është të luash kundër Real Madrid-it dhe pse nuk kisha fat të aktivizohem kundër tyre.
A ndjeni presion duke qenë se jeni një klub i vogël që luftoni për mbijetesë?
Sezonin e kaluar e kemi ndjerë presionin e mbijetesës dhe ka bashkëjetuar me ne deri në fund, pasi ishim kokë me kokë me rivalët tanë për të rënë nga elita e futbollit spanjoll. Me ardhjen e trajnerit të ri gjërat ndryshuan pozitivisht. Këtë vit shpresojmë të jetë ndryshe dhe të mos ketë dyshime për qëndrimin tonë në La Liga. Asgjë nuk i dihet deri në fund të garës.
Si është jeta juaj në qytetin e Valencias?
Valencia është një qytet i bukur bregdetar. Njerëzit janë shumë të mirë dhe të komunikueshëm. Të gjithë e duan futbollin në Spanjë dhe kjo vlen. Banorët e qytetit janë të ndarë në dy klube, Valencia dhe Levante. Kur luhet derbi atmosfera është shumë e bukur.
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...
Zelensky thotë se kurrë nuk ka pasur marrëveshje të arritur ...
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...