Barcelona shpreh interesim për Dybala

13:35 | 6 Mars 2024
KRG

Katalanasja Sport.es raporton se Paulo Dybala mund të transferohet te Barcelona gjatë merkatos verore. Argjentinasi pritet të largohet nga Roma nëse nuk arrihet kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Dhe klauzola prej vetëm 12 mln eurosh për klubet jashtë Serie A, lehtëson kalimin e 30-vjeçarit në “Camp Nou”. Barcelona e sezonit të ri nuk do të ketë Xavin në pankinë.

Me këtë të fundit që kohë më parë u shpreh se Dybala është një futbollist i mbivlerësuar dhe i panevojshëm për Barcelonën. Por Xavi do të largohet në fundin e këtij sezoni.

“Prioriteti i kampionit të botës është Spanja, pavarësisht se ka disa oferta edhe nga Premier League”, shkruan e përditshmja iberike.

West Hami është një nga klubet angleze që është gati të paguajë klauzolën e mesfushorit të avancuar, ndërkohë që pëlqehet edhe nga Atletico Madrid.

Gjithsesi, Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, po e mendon seriozisht pagimin e 12 mln eurove për kartonin e një futbollisti që vlen shumë më tepër se kjo shumë.

Gjatë këtij sezoni, edhe pse është dëmtuar disa herë, Dybala ka arritur të shënojë 13 gola dhe të dhurojë 7 asiste për shokët e skuadrës./Ss

Të ngjashme