Google ADS

Barcelona shkon në gjykatë për Olmon

18:55 | 4 Janar 2025
Q L

Dani Olmo nuk është ende i regjistruar për skuadrën e Barcelonës. Kërkesa e klubit u refuzua sot. Drejtuesit e La Ligës dhe Federata e Futbollit i thanë “jo” presidentit Joan Laporta. Kjo është arsyeja pse klubi do të duhet të shkojë në gjykatë, raporton Fabrizio Romano.

Olmo u rikthye te Barcelona këtë verë, dhjetë vjet pasi la akademinë e saj dhe shkoi te Dinamo. Rikthimi i lojtarit i kushtoi shtrenjtë klubit. Blaugranasit do të paguajnë 55 milionë euro dëmshpërblim te Leipzigu. Në pjesën e parë të sezonit, Olmo luajti 15 ndeshje për Barçën, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar në një.

Por më pas lindi një problem i madh. Për shkak të shkeljes së rregullave të Fair Play-it financiar, La Liga e bëri të pamundur që Barcelona të regjistronte Olmo për vitin 2025. Një lojtar i rëndësishëm i klubit është fshirë zyrtarisht nga skuadra. Kartoni i tij nuk është në mesin e lojtarëve të Barcelonës në faqen e La Ligës.

Ky vendim e përkeqëson situatën financiare të Barcelonës dhe klubi mund të mbetet pa më shumë se 260 milionë euro në total. Olmo tani është teknikisht një lojtar i lirë. Megjithatë, agjenti i tij Andy Bara i tha Fabrizio Romanos se Olmo dëshiron të qëndrojë në Barcelonë dhe se ata as që po shqyrtojnë një opsion tjetër.

Bara tani tha në një intervistë për portalin Give Me Sport: “Kjo është një situatë stresuese për Danin, siç do të ishte për çdo lojtar tjetër. Por ai është një lojtar dhe person i madh, ai përpiqet të jetë i qetë. Sigurisht, Dani është një fitues dhe i pëlqen të luajë”.

Ai tha se paratë nuk janë një faktor vendimtar dhe se Olmo nuk do të përfitojë nga rrethanat për të marrë një kontratë më të madhe në një klub tjetër: “Nuk kemi marrë kurrë ndonjë vendim për karrierën për shkak të parave. Dani luan futboll sepse e do lojën, ai bëri përpjekje të mëdha për të qenë në Barcelonë dhe jam i lumtur që Dani është në Barcelonë, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë në një nga klubet më të mëdha në botë.

Ne respektojmë Presidentin Laporta dhe ata u përpoqën shumë për të sjellë Danin verën e kaluar. Na pëlqen projekti i tyre, është i madh për të ardhmen, një nga më të mirët në botë në vitet e ardhshme. Ne besojmë plotësisht se Barcelona do t’i fitojë të gjithë titujt në të ardhmen, siç bëri në epokën e Messit. Lojtari, familja, unë… Të gjithë donim që Dani të ishte në Barcelonë”, shtoi Bara. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme