Barcelona mposht Real Madrid dhe fiton Kupën e Mbretit

07:28 | 27 Prill 2025
E.G

Barcelona ka fituar për herë të tridhjetë e dytë Kupën e Mbretit, duke triumfuar ndaj Real Madrid me rezultat 3:2 pas dy vazhdimeve nga pesëmbëdhjetë minuta.

Skuadra katalanase e ka nisur më mirë takimin, duke rrezikuar që në minutat e para me Jules Kounde pas një goditjeje këndi nga Dani Olmo. Presioni i Barcelonës është shpërblyer në minutën e njëzet e nëntë, kur Pedri ka shënuar një gol nga distanca pas asistimit të Lamine Yamal. Para pushimit, Barça ka qenë pranë dyfishimit të epërsisë, por shtylla e ka ndalur goditjen e Olmo.

Në pjesën e dytë, Carlo Ancelotti ka aktivizuar Kylian Mbappe, i cili ka barazuar shifrat me një goditje të lirë të ekzekutuar mjeshtërisht. Pastaj Real Madrid ka kaluar në epërsi me një gol të Aurelien Tchouameni, që ka shënuar me kokë pas një goditjeje këndi nga Arda Guler.

Megjithatë, Barcelona nuk është dorëzuar. Lamine Yamal ka dhuruar një tjetër asist të artë për Ferran Torres, i cili ka dribluar Courtois dhe ka realizuar për 2:2.

Drama ka vazhduar me një episod të kontestuar: një penallti e akorduar fillimisht për Barcelonën është anuluar pas rishikimit në VAR, ndërsa Raphinha është ndëshkuar për simulim.

Fatin e finales e ka vendosur Jules Kounde në kohën shtesë, kur ka përfituar nga një gabim i Luka Modric dhe me një goditje precize e ka vulosur fitoren 3:2 për Barcelonën.

Përveç Kupës së Mbretit, këtë sezon Barcelona ka fituar edhe Superkupën e Spanjës, duke mposhtur po ashtu Real Madridin në finale. Skuadra e Hansi Flick vazhdon të kryesojë edhe në La Liga dhe këtë javë do të kërkojë finalen e Champions League, ku në gjysmëfinale përballet me Interin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm