Google ADS

Barcelona dhe Aguero i nisin bisedimet

15:29 | 6 Maj 2021
A. B.

Barcelona ka mbajtur bisedime fillestare me përfaqësuesit e sulmuesit të Manchester City, Sergio Aguero, për kalimin e tij në Camp Nou gjatë verës.

Aguero, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Man City me 258 gola në 387 ndeshje në të gjitha garat, do të largohet nga Etihadi në fund të këtij sezoni kur edhe i mbaron marrëveshja me klubin.

32-vjeçari nga Argjentina luajti për pesë vjet në La Liga si futbollist i Atletico Madridit, para se t’i bashkohej City-t më 2011.

Aguero synon ta fitojë tripletën në sezonin e fundit me City-n, pasi të kaltrit e Mançesterit kaluan në finale të Ligës së Kampionë dhe janë buzë fitimit të trofeve në Premierligë dhe në Kupën e Ligës.

Ai nuk ka qenë shumë i përfshirë këtë sezon në skuadrën e Pep Guardiolës, duke i bërë vetëm 17 paraqitje, kryesisht për shkak të lëndimeve dhe sëmundjes, dhe i ka shënuar vetëm katër gola tërë sezonin.

Është përfolur se disa klube të mëdha evropiane e duan atë, në mesin e tyre dhe Chelsea nëse ai vendos të qëndrojë në Premierligë.

Barcelona shpreson se do ta bindë kapitenin Lionel Messi, bashkatdhetar i Agueros, të qëndrojë në Camp Nou edhe pas këtij sezoni. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme