Google ADS

Barça deklason Bayern, Atletico bie nga Lille, Inter fiton me vështirësi

23:50 | 23 Tetor 2024
Q L

Barcelona ka shënuar një fitore të thellë 4-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e të mërkurës në Champions League, të transmetuar drejtpërdrejt në RTK. Ndërkohë, skuadra tjetër spanjolle, Atetico Madrid, është mposhtur nga Lille. E, Inter ka arritur fitore me vështirësi ndaj Young Boys në Zvicër.

Në Barcelonë, Raphinha ka qenë ylli i mbrëmjes për katalanasit, duke realizuar një “hat trick” të jashtëzakonshëm.

Seria e golave të brazilianit ka filluar që në minutën e parë të ndeshjes, duke tronditur gjermanët që kanë reaguar vetëm pas tetëmbëdhjetë minutave me një gol të barazimit nga Harry Kane. Megjithatë, një goli paraprak i Kane me të cilin Bayern do të mund të kalonte në epërsi është anuluar nga VAR.

Barcelona nuk është pajtuar me barazimin. Ka qenë minuta e tridhjetë e gjashtë kur fillimisht Robert Lewandowski, ish-lojtari i Bayern Munich, e ka ndëshkuar skuadrën e tij të mëparshme me një gol që e ka rikthyer epërsinë për Barcelonën, ndërsa para përfundimit të pjesës së parë, Raphinha ka shënuar sërish, duke e çuar rezultatin në 3-1.

Në pjesën e dytë, Bayern Munich ka kërkuar të kthehej në lojë, por përpjekjet nuk janë konkretizuar. Në minutën e pesëdhjetë e gjashtë, Raphinha ka shënuar golin e tretë personal, duke vulosur fitoren 4-1 për Barcelonën.

Ndërkohë, Atletico Madrid ka zhgënjyer në shtëpi duke u mposhtur 1-3 nga Lille.

Alvarez e ka kaluar Atletico në epërsi që në minutën e tetë, por Lille nuk është dorëzuar. Fillimisht reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, e ka barazuar rezultatin në minutën e gjashtëdhjetë e një, ndërsa më pas David me dy gola të shënuar (74’ dhe 89’) e ka siguruar fitoren për francezët.

Nga ana tjetër, Inter nuk e ka pasur lehtë me Young Boys, ku një gol i Thuram në minutën e tretë të kohës shtesë ka siguruar fitoren minimale të italianëve./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme