Ballkani të motivuar për ndeshjen në “Folenë e shqiponjave”, Kuc dhe Trashi optimist për fitore

12:40 | 30 Nëntor 2023
KRG

Ballkani do të luajë ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Viktoria Plzen në kuadër të Conference League sot ( e enjte) në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Kjo ndeshje ndërroj lokacion pasi stadiumi “Fadil Vokrri”, në Prishtinë pati probleme me fushën, andaj UEFA propozoj stadiumin e  Tiranës, shkruan Arbresh.info

Skuadra e Ballkanit ka vetëm një qëllim, fitoren, në mënyrë që të vazhdojë të ëndërrojë kualifikimin historik në fazën e eliminimit direkt në Conference League.

Në një intervistë për Arbresh.info, kapiteni i FC Ballkanit Edvin Kuc dhe Lorenc Trashi kanë folur për pritshmëritë e tyre lidhur me këtë ndeshje.

Kapiteni i Ballkanit tha se kjo ndeshje nuk do të jetë e lehtë, ani pse Viktoria Plzen, matematikisht ka siguruar kualifikimin tutje, ndërsa  nëse skuadra e Suharekës e do fitoren, duhet të hyjë me motiv të madh në ndeshje që nga sekonda e parë.

“Plzen tregoi pse ishte favorit në grup, arritën katër fitore dhe siguruan kalimin, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një lojë e lehtë. Duhet të kemi një motiv më të madh dhe të tregojmë se duam të fitojmë që në sekondën e parë. Për shkak se nuk ka lojëra të lehta në këtë nivel, të gjithë po luajnë për statusin, parimin e tyre dhe në fund për financat më të mëdha”, tha fillimisht Edvin Kuc.

Mesfushori i Ballkanit edhe foli për atmosferën brenda klubit para zhvillimit të ndeshjes së madhe.

“Kemi gjithmonë një atmosferë fantastike, jemi gjithmonë të gatshëm të mirëpresim çdo lojë, gjithçka funksionon si një harmoni e bukur. Kemi rezultate, po luajmë shumë mirë në të dy frontet, vetëm duhet të vazhdojmë”, shtoi ai.

Kuc gjithashtu theksoj se nuk kanë frikë nga kundërshtari dhe beson në fitore, ndërsa foli edhe për ndeshjen e parë ndaj Plzenit, ku sipas tij ishte humbje e pamerituar për kampionët aktual të Kosovës.

“Jemi të vetëdijshëm që duhet të fitojmë, por nuk duhet të jetë presion, sepse ne shkojmë të fitojmë çdo ndeshje, nuk kemi pasur kurrë frikë edhe kundër skuadrave më të mëdha. Le të jemi të vërtetë dhe nuk shqetësohem për pjesën tjetër. Në ndeshjen e parë humbëm të pamerituar, një goditje e devijuar përcaktoi rrjedhën e ndeshjes”, potencoi 30-vjeçari.

Për fund, ai nuk la pa përmendur tifozët e Ballkanit, “Xhebrailat”, të cilët i quajti besnikë për përkrahjen që ua dhurojnë, teksa shpreson që të ketë sa më shumë tifozë edhe nga shteti i Shqipërisë.

“Tifozët tanë nuk mungojnë asnjëherë, ata janë ndjekësit tanë besnikë, shpresoj një numër i madh njerëzish nga Shqipëria, sepse Ballkani është përfaqësues i të gjitha klubeve. Shpresoj që njerëzit do ta njohin suksesin tonë dhe do të vijnë në numër edhe më të madh për të na mbështetur drejt një suksesi tjetër historik” , përfundoi kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuc.

Njëri nga shtyllat e Ballkanit këtë edicion, doemos është edhe ylli i skuadrës, Lorenc Trashi, i cili  tha se edhe pse Plzeni ka siguruar kualifikimin tutje ata nuk vijnë për të luajtur pa motiv, prandaj do të jetë shumë e vështirë.

“Mendoj që ekipe si Plzeni që janë shumë profesionist, nuk ecin me mendimin qe jemi kualifikuar dhe do vijnë te luajnë pa motiv këtu përkundrazi do jetë një ndeshje shumë e vështirë ata kanë një ekip shumë të fortë”, tha Trashi

Trashi poashtu tha se do të hyjnë dyfish më të motivuar për të fituar këtë sfidë.

“Do jemi dyfish më të motivuar për ta fituar ndeshjen sepse me një fitore të enjten kemi shanse shumë ta kalojmë grupin”, shtoi ai.

Lorenci tutje u shpreh se Ballkani e meriton kualifikimin duke mos harruar të përmend punën fantastike që e bëjnë, nga Presidenti i klubit, e deri te personi i fundit në klub.

“Po motivi dihet tashmë të futemi në histori te bëjmë diçka që se ka bërë asnjë ekip në shqiptari dhe mendoj që Ballkani e meriton ta kaloj grupin sepse funksionon si një klub profesionist nga i pari Presidenti dhe deri te i fundit është bërë një punë e shkëlqyer dhe mendoj që “Air Albania” është një stadium që të luash futboll cilësor stadium fantastik dhe shpresoj ta mbyllim me sukses këtë ndeshje”, u shpreh 31-vjeçari.

Trashi thotë se ndjehet i emocionuar për rikthimin e tij për të luajtur ndeshje të rëndësishme në Shqipëri, pasiqë ai më herët ka djersitur fanellat e klubeve të njohura Shqipëri si  KF Lushnja dhe KF Partizani, ai gjithashtu ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.

“Po unë personalisht kam luajtur shumë ndeshje në atë stadium, ndeshjen e fundit e kam luajtur me kombëtaren dhe sigurisht që kam emocione pozitive kur rikthehem të luaj në atë stadium”, potencoi ish lojtari i kombëtares së Shqipërisë.

Duke ditur rëndësinë e ndeshjes, Trashi bëri thirrje për tifozët nga Shqipëria e Kosova që të jenë prezent në stadium, për të përkrahur Ballkanin dhe me përkrahjen e tyre është një forcë shtesë për të fituar ndeshjen.

“Sinqerisht kjo është një ndeshje qe duhet te ketë interes te madh për ta parë si nga shqiptarët qe jetojnë ne Shqipëri dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë janë shumë faktor që duhet të vijnë ta shohin. Patjetër është stadiumi fantastik atmosfera bëhet e mirë, kushtet janë perfekte plus që jemi i vetmi ekip në shqiptari që përfaqësojmë në garat evropiane dhe do doja shumë të ishte një numër i konsiderueshëm tifozësh në stadium do jetë një forcë e madhe dhe për ne një arsye me shumë për ta fituar këtë ndeshje”, përfundoi Lorenc Trashi.

Kujtojmë që sfidën e parë ndaj Plzenit, Ballkani e humbi në Çeki me rezultat minimal 1-0.

Sa i përket gjendjes tabelare në grupin C, aty ku ndodhen këto dy skuadra, janë pikërisht çekët që prijnë në tabelë me 12 pikë pas katër ndeshjeve dhe tani më kanë siguruar kalimin tutje në fazën tjetër të kësaj gare.

E dyta në tabelë është Astana me katër pikë aq sa ka edhe Ballkani në vendin e tretë, por që kazakët ishin më të mirë në ndeshjen ndaj kampionit të Kosovës, e fundit në tabelë është gjigandi kroat Dinamo Zagreb me tri pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve.

Ballkani me një fitore ndaj Viktoria Plzen do të rriste gjasat për kualifikimin historik për fazën e eliminimit direkt, një sukses që nuk e ka arritur asnjë skuadër shqiptare deri më tani. /Arbresh.info/

 

Të ngjashme