Ballkani aktivizohet përsëri në treg,  fillojnë negociatat për dy yje të kampionatit të Shqipërisë

10:09 | 14 Gusht 2024
KRG

Dy nga lojtarët që spikatën sezonin e fundit në Superiore mund të kalojnë në kampionatin kosovar dhe konkretisht te Ballkani, ekipi kampion. Ata janë Mustafa Gbolahan Salami i Kukësit dhe Elmando Gjini i Teutës.

Sipas “Panorama Sport”, sulmuesi anësor i verilindorëve dhe qendërmbrojtësi i durrsakëve shihen si dy lojtarë që mund t’i shërbejnë Ballkanit për të rritur nivelin sezonin e ari.

Nga kampionët e Kosovës ka pasur disa largime me peshë kohët e fundit, çka ka bërë që skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja të dobësohet, ndërsa drejtuesit e klubit kanë hedhur sytë nga Shqipëria për të gjetur përforcime sa më parë.

“Grepat” e tyre janë hedhur tashmë për lojtarin afrikan të Kukësit, të cilin e kërkojnë shumë klube në fakt, por edhe për mbrojtësin 21-vjeçar të Teutës dhe Kombëtares Shpresa.

Më e vështirë do të jetë për të marrë Gjinin, pasi ai është një titullar shumë i rëndësishëm për Teutën.

OFERTAT – Në të dy rastet bëhet fjalë për blerje të lojtarëve nga klubet aktuale dhe mbetet të shihet, nëse do të pranohen ofertat e Ballkanit apo jo. Të njëjtat burime të gazetës bëjnë me dije se klubi kosovar është gati të ofrojë 100 mijë euro për Salamin. Për Gjinin shifra e afruar nuk dihet, por e sigurt është që ajo është e konsiderueshme, duke ditur nivelin e mbrojtësit dhe moshën e tij të re.

Për këtë arsye drejtuesit e Ballkanit duket se kanë vendosur të investojnë në merkato, jo vetëm për të forcuar skuadrën, por edhe për të marrë lojtarë, që në një të ardhme të afërt mund të sjellin të ardhura në arkën e tyre me shitjen në klube të huaja. Në këtë drejtim Ballkani ka punuar mjaft mirë vitet e fundit. Kampionët në fuqi janë ende në garë për të ecur drejt grupeve të Ligës së Konferencës, por kanë humbur ndeshjen e parë ndaj Larne dhe u duhet të bëjnë përmbysjen në Irlandë ditën e enjte.

 

Të ngjashme