Pas publikimit të listës paraprake për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.
Në një prononcim për fshf.org, Kristjan Asllani dhe Arlind Ajeti kanë treguar emocionet kuqezi në prag të finaleve të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Kristjan Asllani tregon se gjithmonë është një emocion i madh ftesa nga Kombëtarja dhe shton se po pret me padurim për të luajtur ndeshjet e Evropianit, sidomos me Italinë.
“Është një emocion i madh sa herë të thërret Kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”- tha fillimisht mesfushori kuqezi, i cili shtoi se tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mbështetja do të jetë maksimale edhe në Gjermani.
“Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kur kemi ata, jemi një lojtar më shumë në fushë dhe kjo është gjëja kryesore. Ne i presim dhe shpresoj që të na mbështesin si gjithmonë. Dua ta luaj ndeshjen me Italinë, kam shumë shokë dhe pastaj kam jetuar në Itali. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar” – përfundoi prononcimin e tij Kristjan Asllani.
Nga Franca në Gjermani, për Arlind Ajetin është Evropiani i dytë me fanellën kuqezi. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare tregon emocionet, por edhe çfarë ka ndryshuar gjithë këto vite.
“Emocionet janë vështirë të përshkruhen, por dua të them që sa herë më thërret Kombëtarja jam gjithmonë i lumtur. Europiani është diçka shumë e veçantë dhe mezi presim që të fillojë. Kemi shumë lojtarë me cilësi dhe pothuajse të gjithë luajnë në ekipe të mëdha. Kjo mendoj që është diferenca nga viti 2016. Gjithsesi angazhimi, motivimi në Kombëtare është gjithmonë në maksimum” – tha fillimisht Arlind Ajeti, i cili pret edhe mbështetjen e tifozëve kuqezi në dy miqësoret ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari.
“Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Evropian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin” – përfundoi Arlind Ajeti.
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...