Arsenali merr një fitore të madhe ndaj Man Utd dhe bën një hap të madh për Ligën e Kampionëve

15:33 | 23 Prill 2022
Artan Maliqi

Arsenali ka arritur ta fitoj derbin anglez ndaj Manchester United me rezultat 3-1.

Ka qenë një ndeshje spektakolare nga vendasit të cilët me plotë meritë fituan tri pikët në Emirates Stadium.

Vetëm pas tre minutave lojë, vendasit kaluan në epërsi kur realizoi mbrojtësi anësorë Tavares për 1-0.

Topçinjtë vazhduan dominimin dhe në minutën e 28-të realizuan me sulmuesin Nketiah, por që goli i tij u anulua nga VAR.

Vetëm katër minuta më vonë, Arsenali fitoi penallti dhe i saktë nga pika e bardhë u tregua Bukayo Saka duke ngritur epërsinë në 2-0.

Djajtë e Kuq u rikthyen në lojë dhe shënuan dy minuta më vonë me Cristiano Ronaldon për ta hapur sfidën në 2-1.

Me epërsinë e ngushtë të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

United në pjesën e dytë pati rast për ta barazuar rezultatin, por Bruno Fernandes dështoi të shënojë nga pika e bardhë.

E për rezultatin përfundimtar u përkujdes mesfushori shqiptar Granit Xhaka me një gol të jashtëzakonshëm.

Prishtinasi gjuajti nga 30 metra dhe realizoi një gol të mrekullueshëm për 3-1.

Me këtë fitore Arsenali ngritët në pozitën e katërt në tabelë me 60 pikë, derisa United mbetet në vendin e gjashtë me 54 sosh. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme