Arsenal në ‘frymën e fundit’ fiton një pikë ndaj Crystal Palace

23:00 | 18 Tetor 2021
KRG

Arsenal në fundin e takimit ka fituar një pikë ndaj Crystal Palace, në kuadër të xhiros së tetë në Premierligë.

“Topçinjtë ishin në disavantazh prej 1-2, mirëpo në kohën shtesë shënuan për të fituar një pikë në “Emirates”.

Pas vetëm tetë minutave lojë, qendërsulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang kaloi Arsenalin në epërsi pas një topi të kthyer nga goditja e Nicolas Pepe.

Tutje, dy skuadrat kishin raste, mirëpo nuk i konkretizuan, kështu që pjesa e parë përfundoi me rezultat 1 – 0.

Në pjesën e dytë, Crystal Palace ishte skuadër më efektive në sulm dhe arriti të bëjë përmbysjen, por vendasit barazuan në fund.

Pesë minuta pasi nisi 45-minutëshi i dytë, nga një gabim në mbrojtje përfitoi Benteke që shënoi nga afërsia (50′).

Ndërsa, pas një asistimi të Olise, Edouard nga një pozitë jo e favorshme e dërgoi topin në portë (73′).

Tutje, kur mendohej se do mbyllej ndeshja, ishte Alexandre Lacazette që shënoi golin e barazimit (90+5).

Me këtë barazim, Arsenal renditet në pozitën e 12-të me 11 pikë, derisa Crystal zë pozitën e 14-të me 8 sosh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme