Google ADS

Armend Misini zgjidhet kryetar i ri i LRF të Gjilanit

20:42 | 10 Nëntor 2023
KRG

Sot është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit (LRFGJ), e ku Armend Misini është zgjedhur kryetar i ri me mandat katërvjeçar.

Delegatët e pranishëm në mbledhjen e këtij kuvendi kanë shprehur besimin e tyre ndaj Misinit, duke bërë kësisoj një hap të rëndësishëm për riorganizimin e futbollit në këtë rajon, përcjell Arbresh.info.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe figura të tjera kyçe të futbollit i kanë ndjekur nga afër punimet e këtij kuvendi dhe janë shprehur të kënaqur për kandidaturën dhe zgjedhjen e Armend Misinit në krye të këtij rajoni. Në fjalën e tij pas zgjedhjes në krye të LRFGJ-së, Misini ka shprehur nderimin e tij për besimin e dhënë nga klubet dhe shoqatat e këtij rajoni. Ai premtoi punë të palodhshme dhe siguroi delegatët se do të punojë me përkushtim maksimal për të avancuar infrastrukturën dhe kushtet e futbollit në rajonin e Gjilanit. Ai ka thënë se në arritjen e këtyre objektivave do ta ketë përkrahjen e plotë të FFK-së.

“Jam i nderuar që kam marrë këtë detyrë të rëndësishme dhe premtoj se do të angazhohem plotësisht për përparimin e futbollit në rajon. Përveç projekteve konkrete për infrastrukturën, do të jem zëri i klubeve dhe do të punoj në organizimin më të mirë të garave regjionale”, ka theksuar ndër të tjera Misini.

Nga ana e tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur urimet e tij për Armend Misinin dhe Bordin e ri dhe ka premtuar mbështetje të plotë nga federata për riorganizimin e futbollit në Gjilan./Arbresh.info/

Të ngjashme