Armand Duka takohet me Agim Ademin para ndeshjes vllazërore Shqipëri-Kosovë

18:05 | 6 Nëntor 2020
Arbresh.info

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pati një takim me homologun Kosovar, Agim Ademi, i cili u shoqërua në këtë vizitë në Shqipëri nga të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, në daljen për mediet në këtë rast, preku disa tema që lidhen me bashkëpunimin mes dy federatave.

“Jam i gëzuar që prita presidentin e Federatës së Kosovës, si dhe gjithë anëtarët e FFK-së. Ishte një vizitë e programuar. Megjithëse kjo nuk është një ditë shumë e bukur për ne shqiptarët, për ngjarjet që kanë ndodhur dje, për disa nga drejtuesit e UÇK-së, të cilët kanë shkuar para drejtësisë në Hagë”.

“Unë jam i gëzuar që jemi bashkë për të shkëmbyer eksperienca mes komiteteve ekzekutive. Kemi projekte dhe programe të përbashkëta, të nivelit manaxherial, për bashkëpunimin e menaxhimit të dy federatave, të nivelit të përgatitjeve të trajnerëve dhe arbitrave”.

“Projekti madhor ishte organizimi i një kupe të përbashkët, “Nënë Tereza”, e cila nuk u kurorëzua për arsye të COVID-it. Është objektiv që do ta realizojmë në vitet në vazhdim”.

Vëllazërorja e 11 nëntorit: “Bashkëpunim është dhe ndeshja që do të zhvillojmë në datën 11, para sfidave zyrtare të të dyja skuadrave, që uroj të kenë rezultateve sa më pozitive. Futbolli është lojë dhe në një lojë, gjithkush ka dëshirë të fitojë. Uroj që për të dyja stafet ajo të jetë një vëllazërore që t’i shërbejë lojës për ndeshjet zyrtare”

Kthimi i tifozëve në stadiume: “Ne kemi kërkuar praninë e tifozëve, por kemi marrë përgjigje negative. Kemi insistuar, por duke parë nivelin në rritje të COVID-it, duket e vështirë. Uroj që në ditë të mira të kemi 20-30% të tifozëve, të paktën në ndeshjet zyrtare. Nuk kemi pasur gjë konkrete gjatë kësaj jave. Shpresoj që brenda këta vitit të kemi realizuar ato kërkesat që kemi pasur”. /SS/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme