Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Evropianit “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E ka bërë jehonë kudo në botë sidomos në Itali, duke parë edhe numrin e lartë të futbollistëve me origjinë shqiptare që aktivizohen në klubet italiane.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttomercatoweb” ku ka folur për arritjet e Shqipërisë në edicionin kualifikues që u kurorëzua me kualifikimin në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, përcjell Arbresh.info
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tregoi se si nisi gjithçka, që nga zgjedhja e trajnerit Silvinjo në krye të ekipit Kombëtar. Presidenti Duka vlerësoi edhe lojtarët shqiptarë që aktivizohen në klubet Italiane, ndërsa shtoi se nuk dëshiron që Shqipëria të përballet në grup me Italinë.
Më poshtë intervista e plotë për “Tuttomercatoweb”:
Trajneri Sylvinho – “Pasi u kualifikuam trajneri ishte tejet i gëzuar. Ai ka bërë një punë shumë të mirë, ka arritur një objektiv të madh dhe kishte shumë arsye për të festuar. Por ama ju them sinqerisht se asgjë nuk vjen rastësisht. Duhet sakrificë dhe punë e programuar, sepse ndryshe asgjë nuk arrihet. Natyrisht, trajneri ishte regjisori, por më duhet të flas mirë edhe për Dorivën që ka luajtur në Itali. Ai është një ekspert që na ka ndihmuar shumë. Ai së bashku me Zabaletën ndërtuan një grup shumë kompakt. Mua brazilianët nuk më kanë pëlqyer shumë si trajnerë dhe kur ma propozuan nuk isha shumë i bindur. Por ama kur e takova dhe pasi folëm për projektin, atëherë më bindi. Gjithsesi sot po flasim për një mision të përmbushur. Edhe ai si trajner kaq mirë sa tek Shqipëria nuk kishte bërë askund”.
Shqiptarët që aktivizohen në klubet Italiane – “Lidhja mes futbollit shqiptar dhe atij italian është shumë e fortë. Kemi shumë lojtarë në Itali, në mos gaboj janë rreth 14 mijë djem shqiptarë që janë të regjistruar në vendin tuaj si futbollistë, pothuajse po aq sa kemi sot në Shqipëri. Atyre që ju përmendët mund t’ju shtohen edhe Çuni, Medon Berisha i Leçes që luan me U-21 tek Shqipëria, që është pothuajse gati për ekipin e parë. Pastaj është edhe Shpendi që luan tek Empoli. Po, Hysaj ka luajtur për shumë kohë në nivele të larta, por unë do të përmendja edhe Gjimshitin, që është kapiteni ynë”.
Vlerësimi për Kristjan Asllani – “Është një lojtar i mirë me perspektivë. Është vetëm 21 vjeç dhe mund të bëhet një futbollist i madh. Na ka ndihmuar shumë, ka luajtur pothuajse gjithnjë. Kundër Ishujve Faroe në ndeshjen e parë bëri edhe një gol fantastik”.
Nedim Bajrami – “Është një futbollist i madh. Ka teknikë, ndoshta më i zoti teknikisht në ekipin tonë. Shikoni çfarë goli i shënoi Çekisë në ndeshjen e parë. Na ndihmoi të merrnim një barazim të çmuar, sepse na lejoi që të ishim në garë për vendin e parë. Por kemi edhe lojtarë të tjerë shumë të zotë, madje mund ta shënoni emrin e Mitajt, i cili luan në Rusi, por mund të shndërrohet në një top lojtar”.
Zërat e merkatos për Ylber Ramadanin – “Ai është një njeri i mirë, para se të jetë një lojtar i mirë. Ai është zemra e ekipit, vrapon shumë në fushë si në ekipin Kombëtar ashtu edhe me Leçen. Jam i lumtur që ai po luan mirë në Serinë A. Nuk e di nëse është gati, por ai është i fortë dhe një nga ata që vrapon shumë. Për mua është më e rëndësishme ta shohësh një futbollist nga koka dhe më pas nga këmbët. Në këtë pikëpamje ai është një nga më të mirët”.
Mesazhi i Gianni De Biasi pas shortit – “Gjatë shortit më tha që kishim grup të lehtë, por e vërteta është që grupi ishte shumë i vështirë. Kemi vuajtur edhe me Moldavinë në të dyja ndeshjet. Tani që ka mbaruar duket e lehtë, por nuk ishte kështu”.
Synimet në “Euro2024” – “Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe pse nuk kanë arritur rezultate të mira kohët e fundit”.
Kujtojmë se shorti për grupet e Evropianit “Gjermania 2024”, hedhet me 2 dhjetor në Hamburg të Gjermanisë me fillim nga ora 18:00./Arbresh.info
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...