Google ADS

Arijon Ibrahimoviq nga Kosova ftohet tek ekipi i parë i Bayern Munich

14:38 | 6 Janar 2022
Lorik Gerbeshi

Futbollisti kosovar, Arijon Ibrahimoviq, të premten mund ta ketë mundësinë të realizojë një ëndërr të madhe.

Ai mund të debutojë me fanellën e ekipit të parë të Bayern Muenchenit, raportojnë mediume të ndryshme në Gjermani.

Talenti 16-vjeçar është larguar nga kampi përgatitor me U17 të Gjermanisë në Spanjë për t’u kthyer në Gjermani. Futbollisti ofensiv është ftuar nga trajneri Julian Nagelsmann për ndeshjen që Bayerni do ta luajë të premten kundër Borussia Moenchengladbachut pas rasteve të shumta me koronavirus në klubin gjerman. Kjo ndeshje është edhe e para e stinorit pranveror në Bundesligë.

Alphonso Davis është lojtari i nëntë që doli pozitiv në testin për koronavirus gjatë kësaj jave. Kjo ndeshje pritet të zhvillohet, ndonëse Bayerni po përballet me numër të madh mungesash të lojtarëve. Dhe, si zgjidhje emergjente, trajneri i Bayernit, Nagelsmann, e ka ftuar 16-vjeçarin të jetë pjesë e ekipit të parë. Madje, raportohet se Ibrahimoviq mund ta fitojë edhe rastin të debutojë me ekipin e parë.

“Sipas rregullave të federatës gjermane, Ibrahimoviq dhe Wanner mund të luajnë në ndeshjen kundër Gladbachut të premten. Bayerni tashmë i ka regjistruar lojtarët. Prandaj, një debutim është i mundur, me kusht që ndeshja të mos shtyhet. Nëse ndodh, lëvizja e jashtëzakonshme e Bayernit rezulton e dështuar”, shkruan “sport1.de”.

Ibrahimoviq mundësinë për t’u stërvitur me ekipin e parë të Bayernit e kishte edhe vitin e kaluar, pra kur ishte 15-vjeçar. Por, tani ka gjasa që ai të bëjë edhe debutimin, që do të ishte diçka e jashtëzakonshme për futbollistin e talentuar. Ai u lind në qytetin e Nuernbergut nga prindërit kosovarë në vitin 2005. Ibrahimoviq nuk ka asnjë lidhje me yllin suedez, sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq.

Hapat e parë si futbollist i ka marrë te Greuther Furthi. Në vitin 2014, në moshën nëntëvjeçare, Ibrahimoviq u transferua në klubin e qytetit të lindjes, Nuernberg, për të vazhduar zhvillimin e tij tek të rinjtë.

Pas katër vjetësh atje, klubi i madh i Bavarisë, Bayerni, e afroi talentin, të cilin e vlerëson shumë. Ai debutoi në ekipin U17 të Bayernit në moshën 14-vjeçare duke shënuar dy herë dhe duke asistuar tri herë në pesë paraqitje.

Pavarësisht se është i ri në moshë, Ibrahimoviq këtë edicion ka luajtur për ekipin U19 të Bayernit. Ai ka shënuar në të gjitha garat nëntë gola dhe ka asistuar 13 herë në 20 paraqitje. Për shkak të talentit që ka Ibrahimoviq, trajneri i Bayernit, Nagelsmann, gjatë verës së vitit të kaluar e mori atë në kampin stërvitor.

Madje, ai shënoi gol gjatë një ndeshjeje stërvitore. Ai ka të drejtën e paraqitjes edhe me ekipin e parë, pasi më 11 dhjetor ka mbushur 16 vjeç. Ibrahimoviq krahasohet për talentin që ka me mesfushorin e Gjermanisë, Leon Goretzkan.

Ai është përshkruar si lojtar teknik me top, inteligjent në lojë sa i përket presionit dhe pozicionimit. Ai më herët pati thënë se shpejt do të arrijë të bëhet lojtar profesionist. Dhe, këtë mundësi mund ta ketë të premten, nëse ndeshja në mes të Bayernit dhe Gladbachut do të luhet.

“Unë luaj në sulm dhe shënoj disa gola. Më vonë do të doja të bëhesha një futbollist profesionist, por kjo do të marrë kohë. Deri atëherë, dua të luaj mirë me ekipin dhe të shënoj shumë gola”, pati thënë Ibrahimiviqi nga Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme