Amir Rrahmani, lideri i ri i Napolit

13:17 | 10 Gusht 2022
K.B

Largimi i Kalidou Koulibalyt ia ka hapur rrugën dhe dyert Amir Rrahmanit.

Futbollisti kosovar tash po konsiderohet si një lider i ri i Napolit.

Së bashku me Juan Jesusin, ai do ta mbulojë zemrën e ekipit italian në sezonin 2022/23, i cili do të nisë shumë shpejt.

Përfaqësuesi kosovar është bërë lojtar i rëndësishëm për napolitanët që prej arritjes së trajnerit Luciano Spalletti.

28 vjeçari ka impresionuar në ndeshjet përgatitore me ekipin këtë verë.

Ai do ta nisë sezonin e tretë në Napoli, i kishte 16 paraqitje në të parin, ndërsa ishte titullar i padiskutueshëm në atë të dytë.

Tash, e pret një tjetër sezon prej protagonisti.

“Ish-futbollisti i Veronës është mjaft funksional për lojën e trajnerit Spalletti, jo vetëm për aftësinë për ta mbyllur fazën defanzive dhe për aftësinë solide të lojës në ajër, por edhe për faktin se ka kapacitet ta qarkullojë mirë topin. Ai do të jetë një pikë referimi për prurjet e reja të repartit defanziv. Ai i njeh mirë krejt mekanizmat e lojës dhe lëvizjes e vijës së fundit”, shkruan mediumi italian “Il Mattino”,

Rrahmani, ka 47 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ka luajtur në Europa League me Lokomotiv Moskën dhe me Dinamo Zagrebin për dy sezone radhazi dhe me Napolin.

Ndërsa, këtë vit do ta ketë mundësinë të luajë për herë të parë në Ligën e Kampionëve.

Pas largimit të Koulibaly, Mertens e Insigne, tash Rrahmani është njëri prej lojtarëve më me përvojë në ekipin “Azzurri” dhe mund të jetë lideri i ri i ekipit të Spallettit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme