Pas fitores së madhe në Tbilisi të Gjeorgjisë muajin e kaluar, kombëtarja shqiptare ka hyrë në garë fuqishëm për vendin e parë në tabelën e grupit 1, në Ligën B të Kombeve.
Por, fillimisht për të arritur këtë pozicion i duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura ndaj Republikës Çeke dhe Ukrainës.
Në një intervistë për Arbresh.info, ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Altin Lala, ka folur rreth dy ndeshjeve vendimtare të këtij brezi që po shkruan histori me kuqezinjtë në krye me “mister” Sylvinhon.
Ditë më parë Sylvinho publikoi listën e cila nuk doli të jetë finale, pasi lëndimet e kapitenit, Berat Gjimshiti, mbrojtësit tjetër Marash Kumbulla, Keidi Bares e Rey Manajt, bën që të ketë ndryshime.
Adrian Bajrami, Jon Mersinaj dhe i shumë përfoluri Arbnor Muja ishin ftuar për t’i zëvendësuar futbollistët e lartë cekur.
Nga gjithë këta emra, Altin Lala veçon mungesën e Berat Gjimshitit, i cili është një lider i padiskutueshëm dhe shembull sikurse brenda, por edhe jashtë fushave.
“Për fat të keq është dëmtuar Gjimshiti kapiteni i kombëtares, i cili është një ndër shtyllat e kombëtares, ky lëndim e dëmton skuadrën, mirëpo shpresoj që të tjerët të mbulojnë mungesat e tij në fushë sikurse edhe jashtë saj, kështu që trajneri ka çfarë zgjedh dhe janë lojtarët që shpresoj të nxjerrin një performancë sa më të mirë”, tha fillimisht Lala.
Arena e titanëve “Air Albania”, nën atmosferën impozante të “Tifozëve Kuq e Zi” e grupeve tjera do të jetë nikoqire e Çekisë dhe Ukrainës.
Gjashtë ndeshjet e fundit në këtë stadium kuqezinjtë e Sylvinhos kanë katër fitore një barazim e një humbje,
Nga këto katër fitore një ndër kombëtaret e mposhtura është edhe Çekia me rezultat bindës, por për ish-kapitenin kuqezi, tashme ndeshja me të është më e rrezikshme.
“Perfomrancat kanë qenë shumë të mira në “Air Albania”, janë dy sfida shumë vendimtare për faktin që janë sfidat e fundit, e mundur është të zësh edhe vendin e parë edhe të dytin por edhe të fundit. Skuadrat janë pak a shumë me performancat të njëjtë, Çekinë e shoh pak disi të rrezikshme, ndoshta mund të jetë ekipi më i fortë i këtij grupi. Në qoftë se e thyejmë ose fitojmë ndaj Çekisë, atëherë kemi shanse për të vend të parë, duke parë se kemi edhe ndeshjen tjetër me Ukrainën në shtëpi”, theksoi ai.
Më tej 48-vjeçari u ndal edhe tek loja dhe komentoi pak sfidën ndaj çekëve.
“Sylvinho është i fokusuar te ndeshje e parë me Çekinë. Më e rëndësishmja është që të shoh dobësitë e kundërshtarit por edhe si mund të përgatisësh ndeshjen dhe të jesh i fokusuar më së shumti tek performanca e skuadrës se sa të shohësh se çfarë bënë kundërshtarë”, u shpreh ai.
Kjo gjeneratë e Shqipërisë cilësohet e artë dhe madje shumëkush e quan edhe më të mirën në histori të shtetit, duke marr parasysh sukseset e fundit.
Altin Lala përmend dy emra që i cilëson pika kyçe të kombëtares si dhe krahason kohën e tij sa ka qenë futbollist i Shqipërisë me të tashmen.
Ish-futbollisti i Hannoverit ka luajtur gjithsej 79 ndeshje me kuqezinjtë teksa ka shënuar tri gola, ndërsa ka bartur shiritin e kapitenit për 22 ndeshje.
“Ne kemi lojtarë cilësorë, Gjimshiti dhe Asllani janë dy pika shumë të forta të kombëtares, Asllani ka performuar gjithmonë mirë gjithashtu Gjimshiti por fat të keq ai nuk luan. Por si grup është me e rëndësishme të luash si skuadër e jo individualisht”
“Më përpara ka qenë më e vështirë ndoshta. Në kohën time kemi qenë në fazën e tranzicionit në bazë të komunizmit kemi pas ekip cilësorë, por jo në këto përmasa dhe kaq profesioniste siç janë sot”, u shpreh ish-mesfushori i Shqipërisë.
Pas përfundimit të Ligës së Kombeve është radha e kualifikueseve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.
Ëndrra e gjithë shqiptarëve është që një ditë të shohim kombëtaren në eventin më të madh të shteteve në mbarë botën.
Ndërkohë pas performancave të shkëlqyera në Euro 2024 dhe Ligën e Kombeve, synim i FSHF dhe gjithë stafin kombëtar është që të jenë në Botërorin e 2026-tës.
“Arkitekti” i gjithë këtyre sukseseve Sylvinho pritet të mbetet në stolin e kombëtares edhe për kualifikueset e Botërorit dhe për Altin Lalan kjo është plotësisht e drejtë sipas tij.
“Sylvinho, mendoj që ka bërë punë shumë të mirë, natyrisht disa herë po themi edhe publiku apo “specialistët e futbollit”, kanë qenë me mendime të ndryshme me një lojtarë apo tjetër”.
“Unë mendoj ka bërë jashtëzakonisht mirë me arritjen e Kampionatit Evropian dhe performancës. Është trajneri i duhur që do të vazhdoj edhe me kualifikimin në Kampionatin Botëror, sepse e meriton, ne kemi pasur stabilitet, por natyrisht kemi luhatje, se edhe ky grup ku luajmë nuk është aq i lehtë. Por kemi arritur në një nivel tjetër më lart dhe duhet të vazhdoj”, theksoi Altin Lala për Arbresh.info.
Por tani e gjithë vëmendja e kombëtares është për ditën e shtunë ku me fillim nga ora 20:45, luhet ndeshja vendimtare ndaj Çekisë.
Teksa tri ditë më vonë, Ukraina është kombëtarja e radhës që viziton Tiranën.
Aktualisht në tabelën e grupit 1 të Ligës B të Kombeve prinë Çekia me shtatë pikë, Gjeorgjia dhe Shqipëria kanë nga gjashtë kurse e fundit është Ukraina me katër sosh./Arbresh.info/DrilonHalili/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...