Akuza nga ish-lojtari i Juventusit: Në Shqipëri të gjithë luajnë bastore

20:32 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Mark Iuliano nuk e ka kapërdirë shkarkimin e parakohshëm nga Partizani, në atë që shënonte eksperiencën e tij të parë në futbollin shqiptar, ndikuar edhe nga fakti që drejtor i përgjithshëm i “demave të kuq” është Luçiano Moggi, një nga figurat emblemë të Juventusit, karriera e të cilit mori fund pas shpërthimit të Calciopolit.

Në një intervistë për hapësirën “Gazzamercato” të të përditshmes sportive “Gazzetta dello Sport”, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë ka folur rreth eksperiencës së tij shqiptare, mes shumë gjërave të tjera.

“Në fillim hezitova ta pranoja këtë ofertë e gjatë rrjedhës së punës sime kuptova se kisha pasur të drejtë.

Kjo, sepse në Shqipëri iu lejohet të gjithëve, nga futbollistët, drejtuesit e klubeve, por edhe presidentëve, që të vendosnin baste mbi ndeshjet sportive.

Kjo më vuri shpesh në vështirësi, sepse ishte një ambient i kushtëzuar, e ku nuk mund të punoja i qetë.

Shumë ndeshje, sipas meje, kanë pasur rezultate të dyshimta.

Pas largimit nga Partizani kam refuzuar disa propozime nga ekipet e Serie B dhe Serie C, por tani dua të përgatitem sa më mirë që të kthehem të jap kontributin tim”, thotë Mark Iuliano.

Në intervistë, Iuliano ka kujtuar edhe kohët e para kur debutoi të luante, por edhe atë sfidë të shumëpërfolur mes Juventusit dhe Interit në vitin 1998.

Sa i përket ekipit të tij të zemrës, Juventusit, ai mendon se me Dybala në formë, Championsi është një objektiv më i realizueshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme