‘Air Albania’ pret finalen e Conference League më 25 maj, detajet e organizimit

19:06 | 4 Shkurt 2022
Lorik Gerbeshi

Kompeticioni debutues i UEFA-s, Liga e Konferencës, do të zhvillojë finalen e saj në stadiumin “Air Albania” më datën 25 maj të këtij viti.

Ka kohë që ekspertë të huaj  kanë vizituar vazhdimisht Shqipërinë, për të vëzhguar edhe më nga afër kushtet e stadiumit.

“Air Albania” ka një kapacitet prej 21.690 vendesh, por do të pësojë disa ndryshime te pjesa e stolave, duke e ulur numrin e tifozëve.

Kapaciteti i aeroportit– Në një ditë në aeroportin e Rinasit mund të zbarkojnë 8 mijë persona, çka nuk është e mjaftueshme për numrin e tifozëve që priten të vijnë.

Kështu që mendohet të vihet në ndihmë aeroporti i Kukësit dhe ai i Ohrit, për të përballuar numrin e tyre.

Transporti- Kërkohet që të ketë transport falas nga pikat hyrëse dhe deri në Tiranë për mbajtësit e biletave, por gjithashtu edhe një sasi e madhe autobusësh për të transportuar atë numër tifozësh që do të zbarkojë atë ditë.

Kjo është një pikëpyetje e madhe dhe një nga pikat kryesore që duhet të plotësohet.

Biletat –  Numri i biletave pritet të jetë rreth 19 mijë, duke qenë se do të hiqen një pjesë e stolave.

8 mijë bileta do t’u shkojnë klubeve finaliste, nga 4 mijë secila.

Pjesa tjetër do të dalë në shitje, nga këto, 4 mijë do të shiten në Shqipëri.

Bileta do të jetë elektronike dhe jo e printuar dhe nuk mund të transferohet te dikush tjetër.

Nëse një person e blen dhe vendos emrin e tij nuk mund t’ia japë dikujt tjetër.

Ndërkohë, për çmimin e biletës, do i referohen çmimet e vendit ku organizohet finalja, dhe mendohet se do të merren çmime krahasuese me ato të ndeshjes Shqipëri-Francë.

Stadiumi – Ndeshja e fundit që është parashikuar të luhet do të jetë miqësorja Shqipëri-Gjeorgji.

Një pjesë e madhe e stolave në sektorin mik do të hiqen, sepse do të instalohen dy studio televizive, si dhe ndryshimi i një pjese të madhe të tribunës ku do t’i jepet një hapësirë e madhe mediave dhe do të montohen edhe dy ekrane të mëdhenj në tribunën përballë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme