Agim Ademi kujton Vokrrin në përvjetorin e vdekjes: Fadili do të mbetet gjithmonë pjesë e motivimit për gjeneratat e reja

10:03 | 9 Qershor 2022
K.B

Legjenda e Futbollit kosovar, Fadil Vokrri ndërroi jetë katër vite më parë pas një sulmi në zemër.
Në momentin që ndërroi jetë, Vokrri ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës, institucion që tani e udhëheq Agim Ademi.
E i pari i FFK-së e ka kujtuar mikun e tij të vjetër në përvjetorin e vdekjes, duke shkruar se Fadili do të mbetet gjithmonë motivimi i gjeneratave të reja.
Shkrimi i plotë i Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi:
Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së.
Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij.
Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie.
Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit.
Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot.
Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit.
Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin.
Pusho i qetë LEGJENDË!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme