Google ADS

Agim Ademi komenton Grupin B – aty ku gjendet Kosova

21:06 | 7 Dhjetor 2020
L G

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka komentuar shortin për ciklin eliminator të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

“Dardanët” që drejtohen nga përzgjedhësi Bernard Challandes do të përballen me Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Cikli eliminator nis nga muaji mars 2021 dhe mbaron në marsin e vitit 2022, në vitin kur edhe do të zhvillohet Kampionati Botëror.

I pari i futbollit kosovar, Agim Ademi në një bisedë me Zeri.info ka thënë se përkundër kundërshtarëve të vështirë, Kosova do ta bëjë më të mirën.

“Shorti është i vështirë, nuk kemi grup të lehtë. Do ta mundohemi që ta bëjmë më të mirën. Nuk ka skuadër të dobët, nuk mund të themi se do të kualifikohemi”, ka thënë fillimisht Agim Ademi për “Zeri.info”, duke vazhduar:

“Nuk do të dorëzohemi, do ta bëjmë punën tonë, presim deri në mars”.

Tutje, Ademi ka zbuluar edhe të rejat në lidhje me prurjet e reja te Kosova, pas raportimeve të fundit nga mediat për Andi Zeqirin, Kemal Ademin, Meritan Shabanin e të tjerët.

“Jemi në kontakte, do të bisedojmë me çdo njeri që ka potencial. Ata që e duan Kosovën me zemër, do t’ua mundësojmë të luajnë për ne”, theksoi i pari i FFK-së.

Për fund, Ademi ka folur edhe për të ardhmen e përzgjedhësit të Kosovës A, Bernard Challandes, e ardhmja e të cilit ka qenë në dyshim kohëve të fundit.

“Me Challandesin kemi kontratë, dhe do të vazhdojmë. Ndërsa, me trajnerët e grupmoshave, pas përfundimit të cikleve eliminatore, do të vendosim. Çdo trajner e mbanë rezultati”, përfundoi Agim Ademi.

Të ngjashme