Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka uruar skuadrën e Dritës për fitoren kundër Inter d’Escaldes në rundin preliminar të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, përderisa ka thënë se shpreson që gjilanasit do të kenë rrugë të gjatë në Champions.
Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namanit.
Dritës i munguan dy lojtarë në këtë përballje, Fidan Gërbeshi dhe Bujar Shabani, pasi i pari rezultoi pozitiv me koronavirus, ndërsa tjetri u detyrua të vetëizolohet shkaku i kontaktit me Gërbeshin. Mungesa e dokumentacionit për Covid-19, gabim i organizatorëve, gjithashtu bëri që ndeshja të nisë një orë e gjysmë më vonë sesa që ishte planifikuar.
Por, përkundër kësaj, Drita u shfaq bindëse në fushën e lojës. Loja e bukur iu shpërblye me gol Dritës në minutën e 21-të të ndeshjes, kur Xhevdet Shabani e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes me një supergol të shënuar nga distanca.
Pas këtij goli, Drita e uli intensitetin e lojës dhe për këtë u ndëshkua vetëm tetë minuta më vonë, kur Emili Garcia e barazoi rezultatin në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Colocray Sports Centre në Nyon të Zvicrës.
Por, djemtë e Nuhiut u nisën sërish me synimin për ta kthyer epërsinë dhe nuk u dorëzuan derisa e arritën këtë, vetëm pak momente para fundit të pjesës së parë, falë goditjes së Hamdi Namanit.
Drita nuk e bëri të njëjtin gabim si në pjesën e parë duke e ulur intensitetin e lojës dhe vazhdoi të tentojë ta gjejë edhe golin e qetësisë, të cilin në fund nuk e gjeti por arriti ta mbajë epërsinë e siguruar në pjesën e parë.
“Përgëzime Dritës për fitoren e arritur sonte në ndeshjen gjysmëfinale të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve kundër Inter d’Escaldes”, ka thënë Ademi.
“Përgëzoj futbollistët për lojën e shfaqur dhe suksesin e arritur. Uroj që kampioni ynë të ketë rrugëtim sa më të gjatë në këtë edicion të Champions-it”.
“Po ashtu, uroj që edhe dy skuadrat tjera që do të na përfaqësojnë në garat evropiane të arrijnë rezultate sa më të mira, në mënyrë që t’i hapin rrugë edhe ekipit të katërt për pjesëmarrje në Evropë”.
Tani, Dritën e pret finalja e këtij rundi preliminar të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me klubin irlandez, Linfield. /Gazeta Express/
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...