Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka publikuar një letër të hapur para fillimit të edicionit të ri të Ipko Superligës, xhiroja e parë e së cilës do të zhvillohet këtë fundjavë.
Edicioni i ri i Ipko Superligës po vjen me disa risi. Fillimisht, këtë sezon nga Superliga do të bien automatikisht katër klube, pasi që nga sezoni i ardhshëm në këtë ligë do të luajnë vetëm 10 skuadra, jo 12 si zakonisht, raporton Gazeta Express.
Në letrën e tij, Agim Ademi thotë se ky sistem është bërë për të mirën e garës, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e futbollit.
“E gjithë kjo është bërë duke iu përshtatur nevojave, kërkesave të klubeve e të opinionit dhe me qëllim të ngritjes së mëtutjeshme të organizimit dhe të cilësisë në futbollin tonë”, shkruhet në letrën e Ademit.
Në anën tjetër, Ademi insiston se Kosova do të garojë me tri klube në Evropë në sezonet vijuese, përkundër që kjo gjë nuk është e sigurt ende, pasi që duhet të priten kuotat e reja të UEFA-s për t’u zbuluar një gjë e tillë.
“E veçanta tjetër e këtij edicioni është se tashmë vendi ynë do të përfaqësohet me tri klube në garat evropiane, gjë e cila pa dyshim do ta rrisë edhe më shumë rivalitetin dhe garën për kreun e renditjes. Pra, tani krahas kampionit dhe fituesit të Kupës, pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojë edhe nënkampioni, një vlerësim ky që i është bërë punës së drejtë dhe efikase të FFK-së”, shkroi Ademi.
Sezoni i ri i Superligës do të nisë të shtunën, me tri ndeshjet e para që do të zhvillohen në orën 17:00, ndërsa tri ndeshjet tjera do të zhvillohen në po të njëjtin orar, vetëm se të dielën.
Letra e plotë e Agim Ademit:
Jemi të lumtur që këtë fundjavë do ta bëjmë përurimin e hapjes së kampionatit të ri në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Ky edicion do të jetë i veçantë për shumë arsye.
Në kuadër të strategjisë së re të FFK-së sivjet do të fillojmë me platformën digjitale të garave, duke u bërë kësisoj federata e parë në regjion që e zbaton një platformë të tillë.
Po ashtu, tashmë kemi vendosur edhe për reformimin e ligave tona. Si rrjedhojë, në fund të këtij kampionati katër skuadrat me bilancin më të dobët do të përshëndeten nga shoqëria elitare, derisa nga Liga e Parë do të ngjiten dy skuadra, duke pasur parasysh faktin se nga edicioni garues 2020/21 Superliga do të përbëhet nga 10 klube.
E gjithë kjo është bërë duke iu përshtatur nevojave, kërkesave të klubeve e të opinionit dhe me qëllim të ngritjes së mëtutjeshme të organizimit dhe të cilësisë në futbollin tonë.
E veçanta tjetër e këtij edicioni është se tashmë vendi ynë do të përfaqësohet me tri klube në garat evropiane, gjë e cila pa dyshim do ta rrisë edhe më shumë rivalitetin dhe garën për kreun e renditjes. Pra, tani krahas kampionit dhe fituesit të Kupës, pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojë edhe nënkampioni, një vlerësim ky që i është bërë punës së drejtë dhe efikase të FFK-së.
Kjo dëshmon se niveli i organizimit tashmë është rritur dukshëm dhe si rrjedhojë kemi bërë progres edhe në aspektin e cilësisë. Mirëpo, ajo që kemi arritur deri tash nuk duhet të na kënaqë. Në vazhdimësi duhet të kërkojmë më shumë dhe t’i krijojmë mundësitë për të bërë hapa tjerë përpara, në mënyrë që të jemi konkurrentë me kampionatet e vendeve të regjionit, e pse jo edhe më gjerë.
Futbolli i Kosovës ka shënuar rritje nga viti në vit dhe të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të vlerësojmë drejtë përmirësimet e bëra, sidomos në aspektin e infrastrukturës.
Tani qëllim primar duhet ta kemi lojën korrekte dhe emocionin që dhuron kjo lojë e bukur ta transmetojmë tek dashamirët e futbollit.
S’do mend se klubet që kanë organizim të mirë, vendosin objektiva të qarta dhe kanë strategji për t’i arritur ato do të kenë suksese, sado të vështira të jenë sfidat gjatë rrugës.
Ne, si FFK, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një kampionat të mirëfilltë, gjyqtarët e delegatët i kanë kryer me sukses normat fizike, përkatësisht seminaret për zbatimin e rregullave të reja të futbollit, prandaj tani nuk mbetet asgjë tjetër veçse t’u japim hapësirë futbollistëve që ta rrokullisin topin në fushën e gjelbër dhe të urojmë që gjithmonë të fitojë më i miri.
Në emrin tim dhe të KE të FFK-së uroj të gjitha klubet për fillimin e këtij edicioni, me shpresën për një kampionat plotë emocione, rivalitet sportiv dhe ‘fair-play’.
Njëherësh, zotohem se për të gjithë të përfshirët në futboll do të ketë zero tolerancë ndaj çdo dukurie negative që e dëmton imazhin e futbollit dhe të vendit tonë.
Gabimet e paqëllimshme do të sanksionohen në aspektin sportiv, ndërkaq nëse do të ketë diçka përtej asaj që i përket futbollit do të jenë organet e drejtësisë, ato, që do të ndërmarrin masat e parapara bazuar në ligjet e shtetit.
Prandaj, kërkoj nga të gjithë që të jenë vigjilentë dhe suksesin ta kërkojnë vetëm në frymën e ‘fair-play’-it.
Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit në Tiranë, gjendet një maki...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Konsensusi i G20 për Ukrainën i vështirë, ndërsa SHBA bën th...
Atentat në Tiranë, vritet me breshëri plumbash një person
Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, sot mbahet seanca gjyqë...