Të enjten me fillim nga ora 18:00 në kryeqytetin francez Paris do të hedhet shorti për edicionin e ri në Ligën e Kombeve.
Përfaqësuesja e Kosovës ndodhet në vazon e dytë të Ligës C dhe pritet të mësojë edhe kundërshtarët e Grupit ku do të vendoset.
Dardanët janë ende pa trajner, por ai do të bëhet i ditur brenda muajit shkurt, kur kanë mbetur edhe tre javë deri në fund.
I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka folur në një intervistë për Telegrafin për shortin e Ligës së Kombeve, por edhe pritshmëritë që ka për sezonin e ri në Ligën e Kombeve. Ai ka folur edhe për trajnerin e ri i cili pritet zyrtarizohet gjatë këtij muaji.
Ademi: Pres short të favorshëm, duam ta fitojmë grupin dhe Ligën C
Përfaqësuesja e Kosovës ndodhet në vazon e dytë të Ligës C së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë dhe Ishujt Faroe. Në vazon A janë Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu.
Ndërkohë në vazon e tretë janë Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qipro, derisa në vazon e katërt është Bjellorusia, Lituania ose Gjibraltari, Estonia dhe Letonia.
Ademi ka thënë se pret short të favorshëm, por beson se do të kenë sukses dhe qëllimi është ta fitojnë grupin ku do të vendosen dhe Ligën C.
“Shorti do të hidhet nesër dhe presim të kemi një short të favorshëm. Gjithsesi do të jetë mjaftë interesant të shohim se me kë do të luajmë, por duke i respektuar të gjithë kundërshtarët nuk ia kemi frikën asnjërës”, thotë Ademi.
I pari i futbollit kosovar beson se Kosova ka potencial për ta fituar Ligën C, duke marrë parasysh formën e lartë që po tregojnë futbollistët dardanë nëpër klubet përkatëse.
“Kemi potencial të madh brenda skuadrës. Kemi lojtarë që po luajnë në ligat kryesore në Evropë dhe madje janë futbollistët kryesorë në klubet e tyre. Unë pres që ta fitojmë Grupin ku ndodhemi pa marrë parasysh kundërshtarët, por duam ta fitojmë edhe Ligën C”, tha Ademi.
Ademi: Së shpejti zyrtarizohet trajneri, do të jenë katër ndeshje miqësore
Pas largimit të Primoz Glihas, Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të mbetet pa trajner, edhe pse shumë emra janë përfolur deri më sot.
Përkundër që FFK ka pasur takime me disa trajnerë, i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi ka thënë se trajneri do të caktohet brenda këtij muaji.
“Kemi pasur biseda të shumta, ka pasur shumë kandidatë që kanë shprehur interesim për ta marrë drejtimin e Kosovës. Megjithatë tani jemi në fazën finale dhe së shpejti do të vendoset për trajnerin e ri”.
“Po trajneri do të jenë gjermano folës dhe besoj që gjatë këtij muaji vetëm do të bëhet zyrtarizimi i tij. Jemi në fazën finale dhe nuk mund të flas më shumë rreth kësaj teme, por edhe nuk mund të jap një datë se kur do të bëhet prezantimi i tij pasi kjo gjë nuk varet vetëm nga ana jonë”, deklaroi Ademi.
Ademi tutje thotë se trajneri i ri që do ta marrë drejtimin e Kosovës do t’i ketë katër ndeshje miqësore për ta përgatitur skuadrën për kualifikimet e Ligës së Kombeve.
“Tanimë janë zyrtarizuar tre kundërshtarët e parë që janë kundërshtarë të respektuar. Jemi duke punuar për ta zyrtarizuar edhe miqësoren e katërt e cila do të jetë e dyta për muajin qershor”.
“Trajneri i ri do të ketë katër ndeshje dhe do ta shoh skuadrën, do të punojë me lojtarët dhe do ta ketë një pasqyrë se me cilët do të jetë në Ligën e Kombeve”, deklaroi Ademi. /Telegrafi/
Liga C:
Vazo 1: Rumania, Suedia, Armenia, Luksemburgu
Vazo 2: Azerbajxhani, Kosova, Bullgaria, Ishujt Faroe
Vazo 3: Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut, Qipro
Vazo 4: Bjellorusia, Lituania/Gjibraltari, Estonia, Letonia
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...
Rriten me 20 për qind rastet e fruthit në botë
Sot fillon Fushata Globale ” 16 Ditët e Aktivizmit Kun...
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i C...
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...