A po paralajmërohet edicion i flaktë në Superligë?

07:41 | 20 Gusht 2024
E.H

Kanë kaluar vetëm dy xhiro në kampionatin elitar të futbollit të Kosovës, teksa nuk ka asnjë skuadër që mori pikët e plota.

Llapi, Ballkani, Suhareka dhe Ferizaj shënuan nga një fitore e një barazim, duke grumbulluar nga katër pikë, njofton Klankosova.tv.

Drita është duke i shtyer ndeshjet e Albi Mall Superligës, pasi 100% fokusin e ka në UEFA Europa Conference League, atje ku ka prekur fazën finale, PlayOff.

Malisheva dhe Prishtina që nuk i zhvilluan duelet me “Intelektualët”, në përballjet tjera nuk shkuan më shumë se një barazim kundër Suharekës, respektivisht Ferizajit.

Gjilani me plot pforcime, edicionin 2024/25 e nisi ndaj nënkampionit dhe kampionit, ku si në udhëtimin në Podujevë te Llapi, ashtu edhe si nikoqir i Ballkanit, duelet i mbylli me rezultat 1-1, raporton Klankosova.tv.

Të vetmet skuadra që nuk morën asnjë pikë nga dy ndeshjet e para, janë Dukagjini dhe Feronikeli’74.

Kandidaturën për ta kërkuar titullin kampion, javëve të fundit e ka shpallur edhe Prishtina, ku zyrtarë të klubit më të trofeshëm në vend, janë të bindur se do ta ndjekin fuqishëm këtë objektiv.

Nga Gjilani s’është që janë deklaruar publikisht, por gjithë investimi i bërë, duke përfshirë edhe stafin e trajnerave, me në krye Ardian Nuhiun, i bënë “Skifterat” të duken rivalë shumë të fortë për të gjithë kundërshtarët.

Pavarësisht largimeve, ndër ta edhe golashënuesin e edicionit të kaluar, Muhamet Hysenin, te Llapi janë të bindur se do të luftojnë deri në fund për t’u kurorëzuar me titullin e më të mirit.

Nga ana tjetër, kampioni aktual, FC Ballkani, është edhe “kampion” i largimeve të lojtarëve, ku vetëm nga formacioni i parë, suharekasit liruan 7 futbollistë, njofton Klankosova.tv.

Lumbardh Dellova, Armend Thaqi, Lorenc Trashi, Edvin Kuç e Nazmi Gripshi, “ikën” me të përfunduar sezoni i kaluar, kurse në muajin janar, Ilir Daja mbeti edhe pa Qëndrim Zybën dhe Albin Berishën, të gjithë këta titullarë të ekipit.

Se a do t’ia qëllojë Ballkani me zëvendësuesit që solli, për të tentuar mbrojtjen e titullit, apo pas tre vjetësh kampion do shpallet një skuadër tjetër, mbetet të shihet në vazhdim, në kampionatin i cili që në start duket shumë i konkurueshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme