80 për qind e tiranasve kundër organizimit të  “Kampionatit Evropian U21-2027” nga Shqipëria dhe Serbia

15:00 | 3 Tetor 2024
D.H

Opinion sportiv në Kosovë dhe Shqipëri në muajin maj ka qenë në “shok” pasi Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo serbe kandiduan së bashku për organizimin e Kampionatit Evropian U21, të vitit 2027.

Ndërkohë, disa ditë më parë u dha lajmi se këto dy federata kanë marrë dritën jeshile për organizimin e këtij eventi, pasi ishin të vetmen që i plotësuan të gjitha kriteret nga UEFA, për mbarëvajtjen e këtij kompeticioni, shkruan Arbresh.info.

Kjo temë ka nxitur reagime e debate të mëdha në dy shtetet shqiptare, duke marr parasysh historinë e Kosovës me Serbinë.

Duke marr parasysh urrejtjen e madhe të serbëve ndaj shqiptarëve, banderolat raciste të tyre dhe ndeshjen e paharruar të vitit 2014, ku lojtarët e kombëtares u përballen me rrezikun për jetë në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë për kualifikim në Evropianin e vitit 2016.

Por, duket se Duka i “harroi” gjitha këto ngjarje dhe vazhdoi idenë e tij për një organizim të tillë.

Për të parin e FSHF-së është “benefit sportiv” organizimi i këtij eventi së bashku me Serbinë.

“Projekti është sportiv dhe ne kemi benefitet sportive dhe po bashkëpunojmë me Federatën Serbe të futbollit, jo me politikën dhe as me policinë apo shtetin serb. Ne duhet të shohim përpara që të jetojmë në paqe për vete dhe për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë. Nuk dua të nënvlerësoj në asnjë moment komentet emocionale, që për dikë janë më objektive dhe për dikë janë për të fituar benefite mediatike. Mendoj që është në të mirë të futbollit shqiptar dhe pikërisht për këtë ne jemi këtu”, tha Duka për media.

Në, Kosovë lajmi për këtë Evropian nuk është pritur aspak mirë.

Në një intervistë për Arbresh.info, gazetari nga Shqipëria, Klaudio Ndreca, ka dhënë disa detaje tjera sa i përket kësaj çështje.

Fillimisht ai tregoi se edhe në Tiranë, përqindja më e madhe e tifozëve janë kundër këtij organizimi.

“Në Tiranë, nëse do t’i ndaj sa i përket përqindjes janë 70-80% kundër organizimit dhe 20-30% janë pro këtij eventi”, tha fillimisht ai.

Sipas informacione të gazetarit Sport Ekspres në Shqipëri, ky Evropian i të rinjve është një hap përpara Evropianit të madh të vitit 2036 i cili pritet të mbahet në vendet ballkanike.

“Kam një lajm të fundit që po përflitet nga UEFA që Evropiani i vitit 2036 do të zhvillohet në vendet ballkanike, në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni pra do të zhvillohet në të gjitha këto shtete, dhe thuhet që ky Evropian i u-21 do të jetë testi i parë që UEFA po bën për të parë se si po arrijnë ta organizojnë. Nëse ia dalin me sukses do të kemi Evropianin e 2036-tës, ku si Shqipëria dhe ashtu edhe Kosova do të jenë automatikisht të kualifikuara si vende mikpritëse”, shtoi më tej Ndreca.

Tutje, ai dha një këndvështrim nga ana e tij sa i përket Evropianit që ngriti debatet më të ashpra në mbarë komunitetin sportiv në Kosovë dhe Shqipëri.

“Është një bashkëpunim i rëndomtë e jo institucional, sa herë që dy ekipe ndeshen mes vete, në fund secila do të kujdeset për ndeshjet e veta, nuk do të shkoj as Shqipëria të luaj në Serbi dhe as Serbia nuk të vijë në Shqipëri, nëse do të ndodhet kjo atëherë edhe unë do të isha kundër, sepse do bëhej bajat e gjitha vetëm për t’i treguar botës se jemi mirë dhe nuk kemi probleme”, shprehet ai.

Nëpër disa media në Kosovë dhe Shqipëri është aluduar se ka gisht edhe qeveria shqiptare në këtë vendim, mirëpo gazetari shqiptar mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

Madje, sipas tij, qeveria ka bërë çmos që të largojë Dukan nga pozita që ka në zgjedhjet e fundit.

“Duhet të konfirmojë edhe një herë tjetër që marrëdhëniet e qeverisë me FSHF-së nuk është se janë fortë të mirë, në zgjedhjet e fundit të FSHF-së, qeveria investoi që Duka të mos ishte më aty madje me të gjitha mënyrat, me Erion Veliajln, që të ishte dikush tjetër e jo Duka. Çdo arritje që bënë federata, Edi Rama nuk është se i bënë jehonë. Marrëdhëniet e tyre nuk janë të mira dhe kjo nuk ka lidhje aspak me pjesën e politikës, ky është një vendim që ka marr FSHF dhe është në qëllimin e mirë dhe jo në atë qëllim për ta lidhur politikisht apo për t’i bërë dëm shqiptarëve të Kosovës”, vazhdoi ai.

Ndreca tregoi edhe qëllimin e këtij organizimi, ku për fund dha një mesazh edhe për Kosovën.

“Qëllimi në fund është i mirë për të vazhduar me rritjen e futbollit shqiptar, për të fituar organizime tjera madhështore dhe njëkohësisht për të qenë sa më lartë në arenën evropiane, ky është i vetmi qëllim që ka sikur Shqipëria ashtu edhe FSHF, sigurisht që pritet të ketë diskutime të tilla dhe nuk janë gjërat aq të thjeshta, ka histori të kaluar mes shqiptarëve dhe serbëve. Kur i peshon të dyja gjërat dhe asaj që pritet më shumë Evropianin e 2036 ndoshta do të ishte më mirë të ecim para dhe Kosova njëkohësisht të rris infrastrukturën e saj sportive që në të ardhmen të kemi bashkëpunim dinjitoz”, përfundoi ai.

Sa i përket këtij Evropiani me një reagim kanë dal edhe dy tifozëritë zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës.

 

“Tifozat Kuq e Zi” i kanë reaguar ashpër të parit të FSHF-së të cilët nuk e pranojnë assesi këtë ngjarje, duke paralajmëruar për pasoja.

“Ky organizim assesi nuk mund të quhet i Shqipërisë, pasi FSHF-ja nuk ka kompentecën të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm në emër të vetin si organizatë, e që pas këtij akti do gjej mbështetje vetëm tek punonjësit e vet që u jep pagë. Nuk mjaftuan as qindra mijëra viktima shqiptare, gjenocidi e masakra nga ana e serbëve. Gjithashtu nuk mjaftoi as nata e 14 tetorit kur Kombëtarja Shqiptare u gjend në një ambient terrori, e ku u bë thirrje “vrisni shqiptarët”, e ku lojtarët shqiptarë u rrahën e u fyen, madje edhe ju rrezikua jeta e tyre. Nismat e tilla kryeneçe, e mospërfillëse ndaj opinionit të të lartëpërmendurve, që për lavdinë e tyre personale, egoja e shëmtuar për të luajtura ndërtuesin e paqes globale në dëm të harmonisë së ekipit kombëtar, të mbështetësve të saj që me gjithë sakrificën e tyre financiare e familjare, e kanë ndjekur deri tani ekipin kombëtar, do t’ju kthehet boomerang. Nesër do të jetë vonë, kur thirrjet tuaja do të bëhen përgjëruese ndaj përkrahësve të Kombëtares dhe sportdashësve, për t’i ulë gjakrat e tensionin dhe për të kërkuar kompromis e partneritet.”, shkruhej ndër të tjera në reagimin zyrtar të “Tifozëve Kuq e Zi”.

Ndërsa në po të njëjtën mënyrë kanë reaguar edhe tifozëria e Kosovës “Dardanët”.

Se ky organizim dhemb shumë edhe në shtetin tonë, e tha edhe Lulzim Berisha, kryetar i Dardanëve.

“Dikush ka vendosur që ta normalizojë bashkëpunimin me të ashtuquajturat serb dhe të ashtuquajturën Serbi si asgjë hiç duke shkelur me dy këmbë mbi emocionet, gjakun dhe plagët e freskëta të shqiptarëve të kësaj treve dardane. Pak ditë pasi kujtuam si popull rënien në detyrë të heroit Afrim Bunjaku dhe hyrjen terroriste, barbare e kriminale të “çetnikëve” të furnizuar me municion armësh nga vendi fqinj hegjemonist, na vjen lajmi zyrtar se nga Tirana paskan vendosur të bashkëpunojnë me Serbinë për bashkë-organizim të Euro 2027 për grup-moshën U-21. Bashkëpunojnë me federatën e atyre që nuk e shqipton asnjë dënim kur çdo jave klubet serbe shfaqin banderola shoviniste me flamurin e Kosovës të mbuluar me ngjyra të Serbisë apo kur tifozët e klubeve të Beogradit bëhen nxitës e motivues për rikthim të ushtrisë serbe në Kosovë, gjë që me pas u përpoq të ndodhe me një grup terrorist derisa mori përgjigjen e burrave dhe grave heroike të Republikës, të cilët u treguan se pragun e shtëpisë e mbrojmë ne çdo pëllëmbë te tij. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për poshtërim moral dhe emocional, por ndihmë dhe përkrahje. Ngjarja edhe do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet. Kosova nuk do ta falë. Jo ne emrin tonë!”, thuhet në reagimin e “Dardanëve”.

Madje, ai pati edhe një mesazh për të gjithë lojtarët nga Kosova që luajnë për kombëtaren kuqezi.

“Besoj secilin duhet me vra ndërgjegjja se për kënd janë largu nga Kosova, sidomos disa lojtar që kanë edhe tato, brigadën të cilës i përkas unë. Duhet ta bojkotojnë (Shqipërinë), që t’ua hapin sytë politikës dhe FSHF-së, për hapin që e kanë marr”, tha kryetari i Dardanëve për Arbresh.info.

Kujtojmë se zyrtarizimi këtij Evropiani për grup-moshat u-21 do të bëhet në muajin dhjetor./Arbresh.info/ Drilon Halili/

 

Të ngjashme