Google ADS

5 marsi, datë historike për futbollin kosovar

11:18 | 5 Mars 2024
KRG

Data e 5 marsit përveç që është datë historike shtetërore, ku edhe shënohet “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është datë historike edhe për futbollin kosovar.

Para 10 viteve, Kombëtarja e Kosovës zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare, shkruan Arbresh.info.

Bëhet fjalë për ndeshjen miqësore ndaj Haitit që u zhvillua në stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, përcjell Arbresh.info.

5 marsi është një datë që në historinë e futbollit të Kosovës shënon një kapitull të pazëvendësueshëm, një rrugëtim triumfal që nisi me ndeshjen e parë miqësore nën patronatin e FIFA-s për Kombëtaren e Kosovës.

Ajo nuk ishte thjesht vetëm një sfidë sportive, por një shpërthim i emocioneve dhe një manifestim i vullnetit të padiskutueshëm për njohje ndërkombëtare dhe paraprijëse e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Më 5 mars 2014, stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbush me përplot shikues, të cilët krijuan një atmosferë të pashoqe, duke thirrur për një anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në dy institucionet e futbollit ndërkombëtar. Ndeshja kundër Haitit nuk ishte vetëm një konfrontim sportiv; ishte një dëshmi e fuqishme se Kosova ishte gati dhe e meritonte të ndihej e barabartë në skenën ndërkombëtare të futbollit, për t’i dhënë fund izolimit të padrejtë për më shumë se dy dekada.

Pas ndeshjes së parë nën patronatin e FIFA-s, rrugëtimi i Kosovës në futboll u bë një histori e suksesit, pasi në maj të 2016 u pranua në UEFA e FIFA. Nga 72 ndeshjet zyrtare dhe miqësore nga ajo kohë, Kombëtarja e Kosovës ka realizuar 25 fitore, 18 barazime dhe 29 humbje, derisa FFK ka krijuar të gjitha ekipet zinxhir të kombëtares në të dyja konkurrencat. Kombëtarja e Kosovës sivjet do të luajë në Ligën C të Ligës së Kombeve, ndërsa ëndrra madhore mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian dhe Kupën Botërore. /Arbresh.info/

Të ngjashme