Google ADS

Dushku edhe 4 vite në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së

12:35 | 25 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e fundit të mbajtur për këtë vit, konform Statutit të FBK-së, me propozim të Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu e ka riemëruar për një mandat shtesë (4 vjeçar) Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku.

Këtë vendim Bordi i FBK-së e ka marrë pas performancës së shkëlqyeshme të Dushkut në mandatin e saj të parë në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, njofton FBK.

Kryetari Fetahu dhe anëtarët e Bordit të FBK-së i kanë dëshiruar suksese edhe më të mëdha Dushkut në mandatin e saj të dytë.
Dushku u pati emëruar ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të FBK-së më 01.02.2017, ndërsa më 22.01.2018 ka filluar ta kryejë detyrën e Sekretares së Përgjithshme.

Dushku më 2017/18 e ka përfunduar me mjaft sukses programin për lidership dhe menaxhim sportiv “FIBA TIME OUT Programme”, ndërsa më 2019/2020 e ka kryer gjithashtu me sukses Kursin për Menaxhimin e Avancuar Sportiv (ASMC 2) të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Solidaritetin Olimpik.

Dushku së fundi e ka përfunduar gjithashtu programin për Integritet në Sport në FIBA, “SWISH”, ndërsa po ashtu me sukses ka ndjekur programe të tjera në FIBA për rolet ekzekutive për marketing në Federatat Evropiane dhe Botërore.

Të gjitha këto programe të ndjekura kanë ndikuar në rritjen e perfomancës së Dushkut në detyrën e saj si Sekretare e Përgjithshme, duke bërë kështu që ajo të menaxhoj me mjaft sukses punët e saj konform Statutit të FBK-së.

Dushku ka qenë udhëheqëse e Grupit të Punës në hartimin e Planit Strategjik të FBK-së (2021-2025) në bashkëpunim me FIBA-n, njëherësh plani i parë strategjik në histori të FBK-së, kurse tani është udhëheqëse e implementimit të këtij plani.

Ajo që nga viti 2019 është edhe anëtare e FIBA Europe Youth Commission, është anëtare e Bordit Drejtues në Ligën UNIKE, anëtare e Bordit në KUSA (Kosovo United States Alumni) dhe mentore në kuadër të iniciativës “SIGA Global Mentorship Programme For Aspiring Young Female Leaders in Sport”. Kjo iniciativë është pjesë e SIGA-s (Aleancës Globale për Integritetin në Sport).

Dushku në vitin 2017 ka qëndruar për 6 javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit të Departamentit të Shtetit Amerikan “Global Sports Mentoring Program” (https://globalsportsmentoring.org/…/emer…/elvira-dushku/) dhe në fund të këtij programi ajo e ka paraqitur një Plan të Veprimit për fuqizimin e femrës në sport, të cilin plan në bashkëpunim me FBK-në, FIBA-n, Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë dhe Departamentin e Shtetit Amerikan në Uashington e ka implementuar me mjaft sukses.

Dushku ka pasur karrierë të shkëlqyeshme edhe si lojtare aktive në basketboll, të cilën e ka filluar në vitin 1996 si 14 vjeçare në ekipin e Prishtinës-Femrat, derisa që nga paslufta ajo ka qenë kampione e shumëfishtë me KB Universitetin e Prishtinës, si dhe fituese e Kupës së Kosovës, duke dominuar kështu në basketbollin femëror kosovar së bashku me këtë skuadër për 8 vite radhazi. Për disa vite radhazi nga paslufta Dushku ishte shpallur si basketbollistja më e mirë në vend.

Dushku me KB Universitetin ka garuar në Ligën Rajonale “Trocal” në edicionin 2003/04 duke u bërë kështu skuadra e parë në basketbollin kosovar që e thyen izolimin. Atëbotë KB Universiteti e pati përmbyllur edicionin në këtë garë duke zënë vend në play-off.

Dushku pas përfundimit të karrierës aktive, nuk ka rresht së qëndruari afër ekipit ku është rritur, KB Prishtina, ku edhe ka punuar në baza vullnetare si trajnere dhe koordinatore. Krahas punës vullnetare në klub, Dushku prej vitit 2011 deri në 2016 ka qenë kryetare e Bordit të OESK-ut (Organizata për Edukimin Sportiv në Kosovë), e cila ishte themeluar falë bashkëpunimit shumëvjeçar të Organizatës Suedeze për Edukim Sportiv (SISU) dhe Federatave Sportive që veprojnë në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme