Është i koncentruar maksimalisht teksa merr në shenjë për të qëlluar cakun që qëndron dhjetëra metra larg. Pranë tij është trajnerja nga Shqipëria, Lumturia Pepa, e cila ka ardhur enkas për ta ushtruar në fazën përfundimtare të përgatitjes për Olimpiadën e Tokios. “Drilon, kontrollo frymëmarrjen, mos harro shkrepjen, kujdes gishtin” – janë këshillat që përsëriten shpesh gjatë seancës që zgjatë me orë të tëra.
Qitësi nga Vitia Drilon Ibrahimi, që është shitës ambulant me profesion, është njëri nga 11 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike që mbahen në Japoni.
Ndonëse ora shënon 13:00, Ibrahimi duket i lodhur pasi dita e tij fillon herët në mëngjes me Yoga e vazhdon me të tjera aktivitete që përfundojnë tek në mbrëmje.
I heq veshjet stërvitjes që peshojnë disa kilogramë e të cilat i huazoi nga një shok i tij meqë të tijat janë tashmë 15 vite të vjetra aq sa është e gjatë karriera e tij prej qitësi. Para se të fillojë intervistën, kujdeset që t’i zbathë edhe këpucët që po e shtrëngojnë, e të cilat ia dha për t’i përdorur një qitës tjetër.
I kapluar nga djersët, Driloni fillon rrëfimin e tij, i cili është i mbushur me plotë peripeti, ankesa e mbi të gjitha suksese.
Ibrahimi i tregon “Reporteri.net” se udhëton çdo ditë nga vendlindja për në Prishtinë pasiqë nuk ka ku të banojë gjatë kohës sa po i kryen përgatitjet për Olimpiadë “Tokio 2020”.
Ankesa e tij e parë është se të gjitha pajisjet me të cilat do ta përfaqësojë Kosovën janë të vjetra.
Pushka e tij, e kombinuar me pjesë të pajisjeve të garuesve tjerë kosovarë, ka mbi 12 vite që e përdorë e veshja që kushton afër 2000 mijë euro, është e grisur nën të dy sqetullat.
“Për lojëra Olimpike krejt i blejnë special, shkojnë me paisjet më të mira. Unë jam tu shku me të harrnume. Pushkën e kam të vjetër mbi 12-13 vjet, i ka gjujtë mbi 200 mijë pluma. Normalisht pas 60-70 mijë plumbave duhet me ndërru. I kam porositur teshat e reja, por ende nuk ‘mkanë ardh. Veç teshat e reja me i marrë ndikojnë në rezultat. Unë për momentin jam me sene krejt të vjetra. Pushkën e kam kompletu me pajisje të Urata Ramës, garues së Kosovës në Olimpiadën 2016, kemi bo ekzibicione. Rezultati veç ka shku duke u rrit. Nëse m’kishin ardh teshat para se me shku në Olimpiadë, do isha kanë njeri ma i lumtur në botë”, thotë Driloni.
Për shkak të të ardhurave të vogla nga ky sport, Ibrahimi punon si shitës ambulant në një kompani lokale në Viti.
Ndërkaq vite më parë kishte punuar edhe si kamarier, megjithatë Ibrahimi arrinte t’i fitonte garat në Kosovë e regjion.
E sipas tij, puna i pengon të koncentrohet i tëri në sportin e shenjtarisë.
“Problemi është se unë edhe punoj edhe ushtroj. Me e pas një rrogë siç paguhen sportistat kulminant, s’do punoja, do e bëja një orar të plotë veç për sport qysh po e bëj tash gjatë përgatitjes për Olimpiadë pasi kam marrë pushim prej punës. Është shumë problem me e balancu jetën e punës dhe sportin. Mbjen pak kohë me ushtru zakonisht. Nëse e kisha bo gjithë veç sportin, besoj që s’kish pas garë ndërkombëtare që s’kisha hy s’paku në finale. Une me këto kushte, me pushkë të vjetër, tesha të harrnuara e këpucë të vogla, jam ka mendoj me hy në finale e leje me i pas pajisjet krejt të reja”, thotë olimpisti nga Vitia. Përkrahja e instancave sportive të vendit nuk është aq e madhe.
Ibrahimi tregon se edhe plumbat me të cilët stërvitet gjatë përgatitjeve për lojërat olimpike po i blen vetë.
“Unë i blej të gjitha plumbat vetë. 12 euro çdo dy ditë i gjuan. Me i ble krejt pajisjet më kushtojnë 10 mijë euro. Unë se kam. Duhesh me hy në kredi për me i bo e me e la kredinë 5 vjet. Nëse dojnë me përfaqësu mirë shtetin, le t’mi blejnë, po s’deshën, gjujmë me qeto që i kem”, shton Ibrahimi.
Synimi i përfaqësuesit të Kosovës në Olimpiadën e Tokios është hyrja në finale në të cilën garojnë 8 qitësit më të mirë të botës.
Për shkak të rrethanave, ai është skeptik se mund të arrijë të fitojë medalje në këtë garë kulminante.
“Është zor për medalje. Synoj me hy në finale. Kemi bo pak ushtrime siç duhet. Veç 14 ditë kemi bo ushtrime intenzive. Jena shumë vonë, ftesa olimpike ka ardh shumë vonë. Federata s’ka mujtë me mi siguru mjetet. Me i pas kushtet si krejt sportistat e tjërë në botë, kisha konkurru për medalje”, shton Ibrahimi.
Olimpisti kosovar tregon se e ka ndërmend ta lë Kosovën për të punuar si punëtor krahu në Gjermani.
Madje, Ibrahimi tashmë ka aplikuar për vizë punë në shtetin gjerman, por shton se asnjëherë s’do të garojë për ndonjë vend tjetër.
“Se kam mendu me garu për naj vend tjetër. Për me lanë vendin e kam mendu, a me garu për dikë tjetër kurrë. Për shkak të punës që bëj dhe kushteve që kam, e kam mendu me lanë Kosovën. Madje shumë më herët kam dashtë, veç pandemia m’ka ndal për me dal se kam shti vizë pune për Gjermani me punu si punëtor krahu”, thotë Ibrahimi.
Trajnerja e tij, Lumturie Pepa, që ka ardhur nga Tirana enkas për ta stërvitur për Olimpiadë, thotë se Ibrahimi është talent i madh.
“Driloni është talent i madh dhe të tillët duhet të përkrahen. Ardhja ime këtu është një vlerësim për mua, por edhe për Drilonin ngase na jep mundësi të punojë më në detaje siç po bëjmë çdo ditë e më shumë për t’u rritë në rezultat sa të mundemi. Unë do kisha shumë qef që të hynte në finale, shumë, shumë, shumë”, thotë Pepa.
Drilon Ibrahimi do të udhëtoj për në Tokio të hënën në mbrëmje për ta përfaqësuar Kosovën në lojërat verore të Olimpiadës.
Ndërkaq, këtë të mërkure drejt Japonisë janë nis xhudistët në krye me Majlinda Kelmendin që është edhe bartëse e flamurit të Kosovës, të cilin ia dorëzoi presidentja Vjosa Osmani pak ditë më parë.
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...