Google ADS

2024-ta kthesë historike për klubin Trepça- “Babën” e basketbollit kosovar

14:00 | 3 Janar 2025
K.B

Në vitin 2020 ishin në prag të shuarjes si klub, mirëpo fati i skuadrës “Trepça” nga Mitrovica mori kthesë tjetër.

Me ndërrimin e kryesisë dhe ardhjen në krye të dyshes, Vullnet Sefaja dhe Lindrit Misini, gjithçka ndryshoi, raporton Arbresh.info.

Që nga ajo kohë, “Trepça” u rikthye në një nga pretendentët kryesor për çdo titull dhe kulminacionin e arriti pikërisht në vitin 2024, ku arriti të “sundojë” basketbollin kosovar.

Sezoni 2023/24 nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për ta duke fituar Superkupën e Kosovës ndaj Pejës.
Ndërkohë, që edhe viti 2024 vazhdoi me suksese të jashtëzakonshme dhe mund të themi se ky ishte viti më i mirë në histori të klubit mitrovicas, duke mbledhur të gjitha kupat në qytetin e Mitrovicës, në një vend që jetonin me basketbollin.

Eventi i parë për vitin 2024 ishte Kupa e Kosovës apo “Final 8” , siç njihet në zhargonin basketbollistik dhe është mbajtur në qytetin e Gjakovës.

Mitrovicasit në këtë turnir kanë hyrë si kampion në fuqi dhe arritën ta mbronin këtë titull.

Ndeshja e parë ishte e lehtë për mitrovicasit ku triumfuan me rezultat 84 – 51 ndaj Istogut, teksa në gjysmëfinale patën punë ndaj Golden Eagle Yllit, një skuadër mjaft e fort dhe kompetitive.

Por, Trepça edhe këtë sfidë e kaloi me jo shumë vështirësi, duke triumfuar 72 – 59.

Kurse në finalen e madhe, mitrovicasit në një derbi të zjarrtë ndaj Sigal Prishtinës, arritën të triumfojnë në fund me rezultat të ngushtë 71 – 69, për të fituar Kupën e Kosovës, të treten me radhës dhe të dytën për atë sezon, kurse të parën në vitin 2024.

Skuadra e drejtuar nga Adis Beciragic nuk u ndal dhe tani për synim kishte trofeun e radhës i cili ishte ai i Ligës Unike.
Liga Unike e cila bashkon skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria, u luajt në formatin e “Final 8”, në qytetin e Vlorës.

Sfidën e parë, skuadra nga Mitrovica e kaloi shumë lehtë duke triumfuar ndaj Kamzas me rezultat 90 – 46. Kurse në ndeshjen e dytë apo gjysmëfinale, u derdhën shumë djersë për të arritur në finalen e parë në histori të klubit në këtë garë.

“Xehetarët” mposhtën Sigal Prishtinën sërish me rezultat të ngushtë 83 – 80, kësaj radhe duke i eliminuar kështu edhe nga një garë tjetër dhe për të prekur finalen.

Ylli nisi më mirë finalen e Ligës Unike dhe kishte epërsi prej 13 pikësh në çerekun e fundit, mirëpo një super lojë e basketbollistit, Darnell

Edge i dha fitoren në fund mitrovicasve me rezultat 67 – 66, kështu, Trepça u shpall kampione e Ligës Unike dhe mori trofeun e dytë për këtë vit dhe të tretin për sezonin 2023/24.

Pas këtij triumfi ishte radha për atë që e gjithë Mitrovica, stafi i Trepçës dhe vetë lojtarin e kërkonin, titullin kampion që për herë të fundit e kishin fituar në vitin 2012.

Sezonin e rregullt, mitrovicasit e mbyllën për mrekulli si liderë me një dominim absolut prej 25 fitoresh e tri humbje.

Kështu, play-offin e nisën nga faza gjysmëfinale, ku aty pritën fituesin e ndeshjes Sigal Prishtina – Vëllaznimi.

Kryeqytetasit arritën gjysmëfinale dhe kërkonin revanshin ndaj Trepçës për gjitha ato humbje që ia shkaktuan brenda një viti.
Mirëpo, Trepça s’u ndal dhe me një seri prej 3 -0 ndaj bardhekaltërve e mbyllin këtë dhe arritën të eliminojnë skuadrën më të trofeshme në Kosovë edhe nga play-offi.

Kjo ishte paraqitja e tretë me radhë e mitrovicasve në finale, ku në dy herët e kaluara u mposhtën nga Ylli respektivisht Peja.

Pikërisht këto dy skuadra bënin garë të ashpër në gjysmëfinale tjetër për t’iu bashkuar në finale mitrovicasve. Nga beteja me pesë ndeshje, suharekasit arritën të kualifikohen në finale dhe finalja e vitit 2022 u përsërit.

Por kësaj radhe me një fund tjetër, Trepça fitoi ndeshjen e parë në Mitrovicë, ndërkohë Ylli barazoi serinë në Suharekë. Xehetarët e dërguan serinë në 2-1, sërish pas fitores në impiantin “Minatori”.

Ndeshja e katërt në “13 Qershori” mund ta shpallte kampion, Trepçën pas 12 vitesh, por këtë nuk e lejuan “Xhebrailat” të cilën barazuan serinë dhe shtynë festën e “Minatorëve”, për në Mitrovicë.

Ndeshja e pestë vendimtare, në një dramë të prodhuar deri në sekondat e fundit, Trepça fitoi me rezultat 67 – 66, duke arritur të shpallet kështu kampion pas 12 viteve, për herë të pestë në histori të klubit.

Me këtë trofe mbaroi edhe sezoni 2023/24, ku “xehetarët” rrëmbyen të gjithë trofetë këtë edicion, Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës, Ligën Unike dhe titullin kampion.

Kjo ishte edhe hera e parë në histori që një skuadër kosovare arritën të fitojë katër trofe brenda një seozni.
Si klub kampion, Trepça mori pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe arriti ta kalojë një raund duke shkruar histori për basketbollin kosovar.

Në rrethin e parë eliminuan skuadrën nga Qipro, Kervanos duke e mposhtur 82 – 79, mirëpo u mposhtën në sfidën gjysmëfinale nga kampioni i shumëfishtë i Çekisë, Nymburk me rezultat 84 – 78.

Pavarësisht humbjes mitrovicasit bën paraqitje dinjitoze dhe garat vazhduan në Fiba Europe Cup, ku aty suksesi u mungoi.
Fundi i vitit 2024 i dha mitrovicasve një tjetër titull, atë të Superkupës së Kosovës për vitin 2024, ku në finale mposhtën Sigal Prishtinën sërish dhe siguruan titullin e katërt për këtë vit.

Përveç kësaj kupe, Trepça është edhe liderë në Superligën e Kosovës në basketboll ku deri më tani është zhvilluar gjysma e sezonit të rregullt, teksa xehetarët kanë 11 fitore e tri humbje.

Në bazë të sukseseve gjatë këtij viti, Trepça u shpall skuadra më e mirë për 2024-tën nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Kujtojmë se që nga nisja e sezonit 2021/22, skuadra nga Mitrovica ka qenë prezentë në secilën prej finaleve në basketbollin kosovar ku ka fituar tetë tituj nga gjithsej 12 finale./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme