Trepça drejt Evropës, flasin për Arbresh.info Drilon Hajrizi dhe Kevin Bracy-Davis

13:06 | 25 Tetor 2023
D.H

Trepça luan ndeshjen e parë historike në kuadër të kompeticionit Fiba Europe Cup, ndaj skuadrës holandeze, ZZ Leiden.

Ndeshja luhet të mërkurën me fillim nga ora 19:00, në palestrën Minatori, raporton Arbresh.info.

“Xehetarët”, kërkojnë të debutojnë me fitore në këtë garë.

Dy lojtarët më të dalluar këtë sezon Drilon Hajrizi dhe amerikani Kevin Bracy-Davis, për Arbresh.info kanë folur për këtë ndeshje, duke na treguar edhe synimet e tyre.

Një prej ikonave në qytetin e Mitrovicës, Drilon Hajrizi, foli rreth atmosferës në klubin e Trepçës, duke besuar në rezultat pozitiv.

“Atmosfera është shumë e mirë, gjithçka është duke shkuar mirë. Presim që nëse jemi të bashkuar dhe nëse i aplikojmë ato që jemi marr vesh besoj që mundemi me ja dal me rezultat pozitiv”, thotë Hajrizi.

Ai pohon se kontributi i tij për qytetin është një motiv shtesë dhe përgjegjësi e dyfishtë.

“Gjithmonë kontributi për klubin e qyteti është motiv shtesë dhe përgjegjësi e dyfishtë, shpresoj që të bëjmë më të mirën dhe të festojmë së bashku”, thekson Hajrizi.

Ai nuk la pa përmendur edhe palestrën “Minatori”, që e cilësoi shumë të vështirë për kundërshtarët e nganjëherë edhe për vetë mitrovicasit.

“Normal , “Minatori”, është palestër shumë e vështirë për të gjithë kundërshtarët, besa nganjëherë edhe për ne. Është shumë e zhurmshme dhe që besoj në këtë lojë historike për të gjithë ne, jemi të bashkuar drejt një synimi të përbashkët , që është fitorja”, u shprehë 32-vjeçari.

Në fund, Hajrizi thotë se ndihmesa e të gjithë tifozëve, do të jetë motiv shtesë për një rezultat pozitiv.

“Angazhimi është i garantuar, ndihmesa e gjithë palestrës do të jetë motiv shtesë për ne, gjithashtu ne jemi masivisht në palestër për një rezultat pozitiv”, përfundon ai.

Mesazhi i Bracy-Davis për “Xehetarët”: Sillni energji, dashuri dhe pasion për ne në lojë

Në anën tjetër, edhe amerikani Kevin Bracy-Davis, ka folur për Arbresh.info, lojtar ky, i cili është njëri prej lojtarëve më të mirë tek Trepça, si dhe është shpallur MVP, në turneun e Superkupës së Kosovës, aty ku Trepça triumfoi në finale ndaj Pejës.

Bracy-Davis tregon për atmosferën në klubin e Trepçës përpara ndeshjes historike ndaj ekipit holandez.

“Atmosfera në klub është shumë e mirë, jemi të fokusuar dhe të motivuar për të nisur sa më mirë fazën e grupit, por që do të jetë e vështirë sepse nuk ka ndeshje të lehta pasi çdo skuadër ka të njëjtin mentalitet dhe do të japin maksimumin e tyre”, thotë Bracy Davis.

Davis, foli edhe për formën e tij, duke shpresuar të vazhdojë në këtë nivel, për t’i ndihmuar Trepçës në sukseset e ardhshme.

“Unë dua vetëm të kontrolloj vetën time pas secilës ndeshje, mundohem që në çdo lojë të bëjë më të mirën time dhe të fitojmë. Unë luaj lojën time dhe luajë çdoherë për të fituar dhe kjo është më e rëndësishmja pasi vetëm atëherë shkon çdo gjë në vendin e vet”, shprehet MVP-ja i Superkupës së Kosovës.

Ai tregon për pasionin që kanë tifozët mitrovicas për klubin Trepça.

“Minatori është një arenë shumë e zhurmshme dhe tifozët janë shumë të pasionuar, kështu besojë do të jetë dhe atë natë. Shpresoj me ndihmën e tyre do të arrijmë dhe fitoren”, thotë Davis.

Në fund Bracy Davis ka një mesazh për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në ndeshjen e nesërme.

“Mesazhi im për ta është që të sjellin energjinë, dashurinë dhe pasionin për ne në lojë pasi janë një pjesë shumë e rëndësishme, në suksesin dhe motivimin tonë, ne kemi nevojë për ta gjatë gjithë ndeshjes”, shprehet Kevin Bracy-Davis.

Ndryshe, “Minatorët” bëjnë pjesë në grupin G, të FEC së bashku me Leiden, ekipin francez Gravelines-Dunkerque dhe ekipin nga Izraeli, Galil Elion.

Pas xhiros së parë, lider në këtë grup është Leiden me 2 pikë , pasi ka mposhtur skuadrën franceze Gravelines-Dunkerque, kurse ndeshja mes Galil Elionit dhe Trepçës u shty për një datë të pacaktuar, për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.

Me vendim të FIBA-s asnjë skuadër nga Izraeli nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në kuadër të xhiros së parë në FEC, dhe në të gjitha kompeticionet e tjera të organizuara nga FIBA.

Por që nga kjo xhiro kanë filluar të luajnë, teksa Galil Elioni udhëton në Francë këtë mesjavë për tu përballur ndaj Gravelines-Dunkerque, në takimin tjetër të xhiros së dytë në kuadër të Grupit G.

Trepça u bë skuadra e parë kosovare që arriti fazën e grupeve të Fiba Europe Cup, përmes kualifikimeve.

Për tu kualifikuar në Fiba Europe Cup, Trepça ishte në grupin C kualifikues ku bënin pjesë edhe Tindastolli i Islandës dhe Parnu Sadam i Estonisë.

Në kualifikimet e mbajtur në Parnu të Estonisë, “Xehetarët” shkëlqyen duke mposhtur së pari Tindastollin me rezultat 77-69, teksa në sfidën tjetër ndaj nikoqirëve fituan 77-67, për të siguruar kështu kualifikimin e parë dhe historik në “Fiba Europe Cup”.

Po ashtu, kujtojmë që Trepça mori pjesë në kualifikime për FEC edhe vitin e kaluar ku edhe ishin organizues të ndeshjeve në qytetin e Mitrovicës, në grupin e tyre kualifikues  por që nuk arriti të kualifikohet për këtë garë pasi humbi ndaj gjigandit gjerman Gottingen me rezultat 76-62.

Padyshim ky është një sukses shumë i madh për klubin mitrovicas, duke ditur se Trepça disa sezone më herët po luftonte për të siguruar vetëm mbijetesën në Superligën e Kosovës.

Por gjërat ndryshuan nga fillimi i sezonit 2021/22, që nga ky moment skuadra e Trepçës ka marrë pjesë në të gjitha finalet e mundshme në eventet të cilat organizon Federata e Basketbollit të Kosovës.

Xehetarët këto dy sezone fituan dy herë Kupën e Kosovës, një herë Superkupën mbarëkombëtare në kuadër të Ligës Unike, teksa fituan dhe Superkupën e Kosovës këtë fillim sezoni.

Ndërsa është nënkampione e Kosovës për dy vite me radhë, në Superligën e Kosovës në Basketboll./Arbresh.info/Drilon Halili/

Të ngjashme