Thierry Favre lavdëron punën e bërë të FFK-së

15:38 | 7 Nëntor 2023
D.H

Zëvendësdrejtori i Federatave anëtare të UEFA-së Thierry Favre, nga dje, po qëndron për vizitë në Prishtinë.

Ai ka ardhur për vizitë në Federatën e Futbollit të Kosovës, me ç ‘rast është pritur nga presidenti Agim Ademi, u.d./sekretari i përgjithshëm Marcus Weidner dhe drejtues departamentesh në FFK, përcjell Arbresh.info.

Gjatë vizitës së tij në shtëpinë e futbollit në Kosovë si dhe në Kampin Nacional në Hajvali, Favre shprehu kënaqësinë e tij për zhvillimin e futbollit këtu, siç është infrastruktura, edukimi, organizimi i garave, referimi e sidomos pati lëvdata për ecurinë e futbollit të femrave.

“Jam i lumtur që më në fund u ktheva në Kosovë pas tre vitesh. Më intereson edhe më shumë të kthehehem këtu pasi të finalizohet projekti në Kampin Nacional në Hajvali. Gjithmonë kam besuar se është thelbësore për zhvillimin e futbollit në këtë vend të kesh kushte të mira për të stërvitur”, ka shtuar Favre.

Tutje zëvendësdrejtori i federatave anëtare të UEFA-së, tha se duhet pasur durim dhe jo eufori për rezultat në ekipet kombëtare, derisa shprehu bindjen e tij se shumë shpejt Kosova do të jetë në njërin nga eventet e mëdha dhe në momentin kur kjo të ndodhë atëherë do të vazhdojë të kualifikohet edhe shumë herë tjera.

Ndërkaq, presidenti Ademi u shpreh i lumtur për vizitën e Thierry Favre, për vlerësimin dhe inkurajimin e tij për futbollin kosovar.

Kujtojmë që Favre është ndër zyrtarët e parë të UEFA-së i cili pas pranimit të Kosovës në dy institucionet e futbollit, UEFA e FIFA, ka vizituar Kosovën dhe ka udhëhequr projektet e FFK-së për infrastrukturë dhe zhvillim./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme