Presidenti i Komiteti Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës

18:36 | 17 Dhjetor 2023
D.H

Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Raffaelo Pagnozi, kanë vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës, me rastin e vizitës që po e bëjnë në Republikën e Kosovës.

Drejtuesit e EOC-ut, u pritën nga krerët e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, ndërsa të pranishëm në takim ishin edhe udhëheqësit e KOKSh-it, presidenti Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima, të cilët e shoqëruan nga vizita që kishte Capralos në Shqipëri, përcjell Arbresh.info.

Presidenti i KOK-ut të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka falënderuar presidentin Capralos për vizitën ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe përkrahjen e fuqishme që EOC po e jep për KOK-un në projekte të ndryshme.

I pari i KOK-ut e njohu edhe me sfidat dhe sukseset e vazhdueshme të Komitetit Olimpik, me theks të veçantë tri medaljet e arta olimpike në vetëm dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, si dhe suksesin e fundit, marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Presidenti Capralos, pasi vizitoi zyret e reja të KOK-ut, përgëzoi presidentin Krasniqi për sukseset e arritura, duke theksuar se suksesi i sportistëve tanë, veçanërisht atyre të xhudës është storje suksesi edhe për Komitetet e fuqishme Botërore.

Capralos vlerësoi lart edhe projektet e KOK-ut, promovimin e vlerave olimpike, si dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Për fund, u shkëmbyen edhe dhurata mes palëve.

Capralos, nesër do të pritet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku./Arbresh.info/

Të ngjashme