Google ADS

Për dy vite e gjysmë, Ilir Daja “perandor” i futbollit kosovar

12:30 | 23 Maj 2024
D.H

Skuadra e Ballkanit bëri revolucion në botën e futbollit kosovar.

Tre tituj me radhë në Superligën e Kosovës, një titull i Kupës së Kosovës , një i Superkupës së Kosovës dhe dy herë me radhë grupet e Uefa Conference League janë suksese e Ballkanit në tri vitet e fundit në futboll.

Pas gjithë këtij suksesi të madh fshehët emri, Ilir Daja.

Gjithçka nisi në janar të vitit 2022 kur, strategu shqiptar u emërua si trajner i Ballkanit.

Daja fitoi besimin e drejtuesve të Ballkanit, pas një aventure shumëvjeçare të suksesshme në kampionatin shqiptar.

Ballkani ka qenë në kohë krize kur Daja nënshkroi me klubin simpatik nga Suhareka.

Por vetëm disa muaj më pas, ‘maestro’ Ilir Daja arriti suksesin historik me klubin suharekas.

Nën urdhrat e Ilir Dajës, skuadra nga Suhareka ishte e jashtëzakonshme duke shënuar më së shumti gola dhe pranuar më se pakti.

Pas 32 xhirove të zhvilluara, Ballkani regjistroi 21 fitore, duke barazuar shtatë herë dhe numëruar vetëm katër humbje.

Me kaq nuk përfundoi pasi Ballkani do të vazhdonte të shkruante historinë.

Nëse dikush mendonte se Daja me lojtarët e tij këtë sukses e arriti me fat, ‘strategu’ shqiptar vazhdoi sundimin edhe në sezonin 2022/23 duke arritur fillimisht Superkupën e Kosovës pastaj edhe titullin e dytë radhazi në Superligën e Kosovës.

Ndërkohë përveçse në futbollin kosovar, Ballkani pati edhe një synim tjetër në atë sezon kualifikimin për në gara evropiane.

Me Dajën në stol gjithçka po dukej e lehtë për portokallinjtë, që me një fitore ndaj Shkupit arritën që të shkruajnë një tjetër histori, të kualifikohen për në Conference League.

Ky sukses erdhi falë punës së madhe të drejtuesve të Ballkanit, lojtarëve dhe njeriut ‘arkitektin’ të kësaj skuadre Ilir Dajës.

Në po atë sezon Ballkani përfundoi e fundit ani pse bëri paraqitje fantastike duke arritur edhe fitore ndaj Sivassporit që ishte lider i grupit në fund.

Një sezon i ri me synim të njëjtë ishte edhe sezoni 2023/24, për trajnerin Daja dhe Ballkanin.

Ky sezon ishte viti i tretë me radhë që skuadra e Ballkanit fitoi titullin kosovar nën urdhërat e 57-vjeçarit.

Këtë sukses e ka arritur vetëm një skuadër në të gjithë historinë e futbollit kosovar dhe ajo është Besa e Pejës në sezonet 2004/05, 2005/06 dhe 2006/07.

Gjatë këtij sezoni Ballkani arriti kualifikimin e dytë radhazi në Uefa Conference League duke treguar edhe njëherë fuqinë që ka në futbollin kosovar.

Kjo ishte një tjetër arritje e madhe e Dajës me lojtarë.

Ballkani në këtë sezon të Conferencës nuk e pati shortin ‘mik’ pasi goglat e këtij shorti i hodhën kundërshtarë tejet të fortë sikur Dinamo Zagerbi, Viktoria Plzen dhe Astana.

Por në tempullin “Fadil Vokrri”, Ballkani shënoi njërën nga fitoret më të mëdha në histori të klubit ndaj gjigandit kroat Dinamo Zagreb me rezultat 2-0.

Ballkani përfundoi në pozitën e katërt me një fitore dhe një barazim por me më shumë fat do të ishte edhe më lartë.

I vetmi trofe tani që po i mungonte Dajës në sirtarin e trofeve me Ballkanin ishte Kupa e Kosovës.

Por ishte momenti edhe për të ditën e djeshme në Drenas, saktësisht në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’, skuadra e udhëhequr tani më nga ‘perandori’ i futbollit kosovar, Ilir Daja arriti edhe këtë sukses duke mposhtur Prishtinën pas ekzekutimit të penalltive, për të triumfuar në trofeun e vetëm që i mungonte Ballkanit.

Pesë trofe për dy vite e gjysmë në futbollin kosovar, mbajnë firmën e tij, dy herë radhazi grupet e Conference League, teksa këtë vit ka një synim të ri, kualifikimin në grupet e Europa League.

Ballkani garën për Evropë do të nis nga rrethi i parë i kualifikimeve për Champions League, teksa do të kërkojë të rishkruaj historinë dhe për të arritur sa më lartë në këto gara.

Por fillimisht Daja me ekip këtë vikend do të luajnë ndeshjen e fundit me Prishtinën në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll ku do të stolisen me trofe dhe medalje për triumfin e tretë rresht në elitë.

Pas gjithë këtyre sukseseve në vitin 2023, Ilir Daja u shpall trajneri  më i miri i vitit në Kosovë./Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme